Video e papublikuar, tensione në Kuvendin e LDK’së kur ishte propozuar emri i Fatmir Sejdiut

E publikuar: 06/08/2019 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi Zgjedhor i LDK’së është përmbyllur pa ndonjë incident, megjithatë në disa momente situata brenda sallës ku po zhvilloheshin punimet për zgjedhjen e kryetarit të ri ka qenë e tensionuar.

Një gjë e tillë ka ndodhur kur është vendosur në votim emri i Fatmir Sejdiut si kandidaturë që pretendonte të sfidonte Isa Mustafën për karrigen e të parit të LDK’së.

Në momentin kur është bërë thirrje që të deklarohen delegatët nëse janë pro miratimit të kandidaturës së Fatmir Sejdiut, votimi ka ndodhur në mënyrë të hapur.

Një gjë e tillë duket se nuk i ka pëlqyer një përkrahësi të Sejdiut brenda sallës, i cili i tensionuar ka kërkuar që votimi për kandidaturën e tij të bëhet me votë të fshehtë.

Në një video të siguruar nga Gazeta Express ky delegatë i LDK’së flet me tone të larta duke thënë se partia ka shënuar regres për faktin së në Kuvendin e VII-të e kishte votuar kandidaturën e Sejdiut por jo edhe në Kuvendin e IX-të.

Kuvendin e IX-të.

“Futeni me votim të fshehtë ju lutem. Shif çfarë regresi keni bërë, e keni futur në Kuvendin e shtatë, dhe nuk po e fusni në Kuvendin e nëntë. Shifni çfarë demokracie keni. Ju lutemi futeni në votim të fshehtë. Kush fiton pastaj ia paft hajrin, do ta përkrahim deri në fund. Mos bëni kështu. Çfarë të drejte keni që kryesia në largim me e zgjedh kryetarin e ardhshëm. Mos u bëni argat të dreqit”, ka folur i tensionuar ky delegat, raporton Gazeta Express.

Mirëpo punimet kanë vazhduar, dhe pro kandidaturës së Fatmir Sejdiut kanë qenë vetëm 78 delegatë, numër ky i pamjaftueshëm për të hyrë në garë për kryetar, pasi që Neni 25 saktësisht pika 2 e Satutit të LDK’së, thekson se secila kandidaturë për kryetar të LDK’së,  fillimisht duhet të miratohet me 50+1 për qind të delegatëve të pranishëm, ka qenë barrikada të cilën s’ka mundur ta kalojë Fatmir Sejdiu në Kuvendin Zgjedhor të 3 gushtit.

Ndërkohë në një intervistë për Pressing të T7, deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se para procedimit për votim të kandidaturëve, Kuvendi Zgjedhor i LDK’së ka votuar edh rreth asaj nëse duhet të hiqet ky Nen, mirëpo Abidixhiku ka treguar se shumica e delegatëve të pranishëm janë pajtuar që ai nen të mos hiqet nga Statuti i partisë.

“Delegatët nuk e mbështetën heqjen e nenit që kërkon 50+1 votë për kandidaturë. 345 delegatë nuk deshën të ndërrojnë nenin” ka thënë Abdixhiku.

Pas mos miratimit të kandidaturës, Sejdiu ka marrë fjalën në Kuvendin Zgjedhore të LDK’së duke kritikuar Isa Mustafën e nënkryetarët, më pas kanë lëshuar tubimin duke rënduar kritikat për krerët e partisë para gazetarëve të cilën prisnin para dyerve të sallës ku po zhvilloheshin punimet.

Bashkë me Sejdiun Kuvendin e ka lëshuar edhe Melihate Termkolli dhe disa përkrahës të Fatmir Sejdiut.

Ndërkohë derisa Sejdiu thurte kritika para gazetarëve, nga brenda dëgjoheshin duartrokitjet e 337 delegatëve të cilët kishin rizgjedhur Isa Mustafën në krye të partisë edhe për një mandat. Vetëm 9 delegatë nuk kishin marrë pjesë në votimin për rizgjedhjen e Mustafës në krye të partisë.

I gjithë procesi zgjedhor para Kuvendit të 3 gushtit, është përcjellë me një lloj misteri rreth asaj se kush do të kandidojë për kryetar, pasi që shumë fytyra të rëndësishme të LDK’së kishin dhënë sinjale që do t’i hynin garës.

Megjithatë si pjesë e negociatave disa ditore të kryesisë së LDK’së, emri i Isa Mustafës ishte parë si kandidaturë konsensuale, e cila nuk do të mundësonte ndonjë rivalitet të ri brenda partisë e që do të mund të qonte në përçarje brenda LDK’së./GazetaExpress/