Vetëvendosje po “përgatitet fizikisht për rrëzimin e qeverisë”

E publikuar: 29/08/2015 21:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do të zgjedh metoda për rrëzimin e qeverisë pas nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe pas votimit të themelimit të Gjykatës Speciale.

E për këtë si duket kanë nisur t’i ushtrojnë muskujt anëtarë e deputetë të kësaj lëvizjeje.

Deputeti i këtij subjekti politik, Fisnik Ismaili, ka postuar në rrjetet sociale një fotografi së bashku me nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu. Në foto shihet edhe i biri i Ismailit (të cilin e kemi mbuluar për shkak të moshës minore).

Ata janë fotografuar në Parkun Nacional të Gërmisë ndërsa përmes kësaj fotografie, Ismaili ka paralajmëruar se janë duke u përgatitur fizikisht për rrëzimin e qeverisë.

“Përgatitjet e fundit fizike për rrëzimin e qeverisë. ‪#‎poshte‬ ‪#‎isa‬ ‪#‎me‬ ‪#‎hajnat‬ ‪#‎tjere‬”, ka shkruar deputeti Ismaili mbi fotografinë e postuar, raporton Koha.net.

Debati i ashpër, e në disa raste edhe banal mes zyrtarëve të komunës së Prishtinës që vijnë nga Lëvizja vetëvendosje, dhe kryesisht kreut të qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, ka nisur qysh nga koha kur u votua Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës, për të vazhduar më pastaj me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe si dhe pas publikimit në media të një kontrate të nënshkruar mes kompanisë së drejtuar nga djemtë e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës.