Vetëvendosje kritikon programin e Qeverisë për energjetikën

E publikuar: 23/03/2015 16:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në konferencën për ta trajtuar çështjen e energjetikës brenda programit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje tha se konsideron që programi qeveritar është përmbledhje e frazave tashmë të dëgjuara nga ministra të ndryshëm, qoftë të kësaj apo të Qeverisë së kaluar.
Programit, sipas kësaj Lëvizjeje, i mungojnë afatet kohore të zbatimit të pikave të veçanta që e bën atë, pra zbatimin, të pamonitorueshëm, ndërkohë që programit i mungojnë numrat konkretë qoftë të situatës aktuale por edhe, më me rëndësi, të rezultateve që qeveria i pret nga ai.

Në këtë mënyrë, Vetëvendosje thotë se qeveria po i ikë përgjegjësisë përmes programit, në vend se të zotohet për përgjegjësi përmes tij.

“Programi është në shpërputhje të plotë me një buxhet të miratuar nga po kjo Qeveri, si dhe nga projektimet e parapara për vitin 2016 dhe 2017. Si në buxhetet e mëparshme, prioriteti më i theksuar ka qenë dhe mbetet projekti i autostradës me Bechtel-Enkan, njëherë i “Rrugës 7”, Prishtinë-Tiranë, tash i “Rrugës 6”, Prishtinë-Shkup”, ka thënë Visar Ymeri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ymeri tha se programi nuk përcakton cilat do të jenë prioritetet e kësaj qeverie, ndërsa shtoi se aty secili sektor vlerësohet si një prej më të rëndësishmëve.

“Në situatën ekonomike e sociale në të cilën gjendet Kosova, veçanërisht karshi nevojave zhvillimore të vendit, politikat duhet të jenë të prioretizuara në sektorë të veçantë të cilët do të jenë bartës të zhvillimit ekonomik, e si rrjedhojë të rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Sipas këtij programi të qeverisë Kosova do të zhvillohet në secilin sektorë që nënkupton pak a shumë se nuk do të zhvillohet në asnjërin”, theksoi Ymeri.

Ndërkaq Naim Hoxha, drejtues i Komitetit për Energjetikë, tha se askund në program nuk thuhet se cila është energjia e mjaftueshme për nevojat e Kosovës, si është llogaritur dhe a është ajo me të vërtetë e mjaftueshme.

Hoxha tha se aty flitet për çmimet e energjisë që të jenë të përballueshme për qytetarët dhe bizneset, pa e përmendur askund mekanizmin përmes të cilit do të mbahet çmimi i energjisë brenda kornizave të përballueshmërisë financiare për qytetarët dhe bizneset.

Edhe dy pikat e tjera të pjesës së energjetikës në Programin Qeveritar, ku thuhet që të mbrohet ambienti dhe të shfrytëzohen të gjitha resurset, pa u përmendur fare asnjë standard, apo që të tërhiqen investime private për krijimin e vendeve të punës, Hoxha i klasifikoi si klishe të thata të Qeverisë sa për të blerë kohë.

“Një risi në këtë sektor është rikthimi në konceptin e 1200 megavat nga ai prej 600 megavat. Mirëpo, pa u realizuar strategjia e përgjithshme zhvillimore, e cila është e paraparë në 6 muajt e ardhshëm është e vështirë të dihet se cila vlerë i duhet Kosovës për zhvillim të gjithëmbarshëm”, tha Hoxha.

Këto probleme, sipas tij, do të jenë më të lehta, po ta realizojmë unionin e sistemeve energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes një qendre dispeçerike prej së cilës do të shpërndahej energjia elektrike, dhe me një bilanc energjetik.

“Në programin qeverisës janë vetëm tri faqe për energjetikën. I gjithë ky konglomerat, edhe i programit edhe i buxhetit nuk i jep shpresë se do të ndodh diçka tjetër, pos edhe një atraksion dhe një paraqitje mediale për këtë qeveri”, tha në fund Naim Hoxha, drejtues i Komitetit për Energjetikë në Lëvizjen Vetëvendosje.