Vetëvendosje kërkon zgjedhje të parakohshme pas vendimit të Kushtetueses

E publikuar: 27/06/2019 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Dialogues.

Deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka thënë se partia ku ajo bën pjesë e ka kundërshtuar qysh nga fillimi dialogun në këtë formë, shkruan lajmi.net.

“Aktgjykimin, LVV-ja e konsideron të drejtë. Ne e kemi kundërshtuar presidentin i cili e ka marrë në mënyrë antikushtetuese në dorë dialogun me Serbinë. Ne kemi dashur që të bëhet një listë kërkesash për dialogun”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, zgjidhja e vetme pas këtij vendimi të Kushtetueses mbeten zgjedhjet e parakohshme.

“Në këto rrethana kur kemi një president që e ka udhëhequr në mënyrë antikushtetuese dialogun, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu tha po ashtu se vendimi në fjalë do të jetë vetëm shtytje më e madhe që mocioni i mosbesimit të dërgohet në Kuvend, dhe se siç tha ajo nuk e ka idenë se pse po pritet për një gjë të tillë.

“Ai Delegacion nuk mund të qëndrojë tutje sepse është antikushtetuese. Ajo çka presim ne tanimë janë zgjedhjet, ne tani jemi duke mbledhur edhe nënshkrimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. VV është pro që qysh tani të dërgohet ky mocion, dhe nuk e di pse ky mocion nuk po dërgohet tani”, tha ajo.

Ndërkaq më herët kanë reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas tyre, Kushtetuesja e ka parandaluar një dëm shumë të madh që mund t’i bëhej Kosovës.