Vetëvendosje i përgjigjet LDK’së për postin e Presidentit

E publikuar: 11/12/2019 22:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pazaret politike dhe ndarja e pushtetit mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po bëjnë që të dy partitë të mos arrijnë koalicionin qeverisës mes tyre, shkruan Gazeta Metro.

Pika më e nxehtë dhe ajo kryesore vazhdon të mbetet pozita e Presidentit, pozitë kjo që tani është kusht nga ana e LDK’së për arritjen e koalicionit me VV’në.

Por, nga Vetëvendosje nuk po pranojnë që pozita e Presidentit të negociohet dhe të futet si marrëveshje koalicioni mes dy partive, madje kanë thënë se mund të shkojnë në zgjedhje të reja por mos të flasin për këtë pozitë, shkruan Gazeta Metro.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i ka reaguar zyrtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, duke i thënë se problemi është se LDK nuk po pranon të pajtohet me faktin se ka dalë e dyta dhe se nuk do të negociohet pozita e Presidentit.

“Lumir Abdixhiku po thote se nese VV do te kishte dale e dyta per 24 ore do te ishte kryer marreveshja. E vertete. Problemi eshte se LDK nuk po pranon te pajtohet me faktin se ka dale e dyta. Sa i perkete presidentit eshte gabim te spekulohet se Albin Kurti do te ishte bere president. Neve kemi thene ne fushate se posti i presidentit duhet te mbetet jashte negociatave per qeverisje. Kete e kane thene edhe figura te LDK-se. Ne jemi te vendosur ta mbajme fjalen si gjithmone”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

Kujtojmë se as pas dy muaje, VV dhe LDK nuk po munden të arrijnë koalicionin qeverisës për formimin e Qeverisë së re, kjo për shkak të pozitës së Presidentit dhe ndarjes së ministrive.