Vetëvendosje e do dorëheqjen e Presidentit dhe Kryeministrit, shkak vonesat në liberalizim

E publikuar: 28/10/2018 14:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në një konferencë për shtyp, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave u përdor si presion politik edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë, por liberalizimi nuk po ndodhë. Ajo për këtë i bëri përgjegjës drejtuesit e shtetit dhe kërkoi dorëheqejn e presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe zëvendëskryeministrave Pacolli e Hoxhaj dhe ministrave Tahiri e Hoxhaj.
Pacolli tha se në Kosovë ndodhën shumë procese në emër të liberalizimit të vizave.

“Sot, në vend se këta qeveritarë të dalin e të japin përgjegjësi para qytetarëve, pse liberalizimi i vizave nuk ndodhi, ata dalin e thonë se Liberalizimi i paraparë të ndodhë në fund të këtij viti mund të shtyhet”, tha Pacolli, raporton Telegrafi.

“Ata tash [qeveritarët] po fajësojnë qytetarët dhe BE-në për albanofobe dhe se Kosova duhet të rishikojë qasjen ndaj BE-së”, tha ajo.

Pacolli tha se tani kur procesi i liberalizimit të vizave ka hyrë në një fazë komplekse, nuk mbetet vetëm me pesë shtetet që nuk e kanë njohur, por edhe me shtetet kryesore të BE-së që e kanë njohur Kosovën. “Pra po del që problemi është me shtet kryesore të BE-së”, tha ajo.

Ajo tha se Qeveria tashmë është fokusuar në gjetjen e fajtorit për shtyrjen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Qeveria nuk po i merr seriozisht mesazhet e BE-së dhe po vazhdon me skandale të përditshme, duke përfshirë këtu edhe nismën e fundit të presidentit për korrigjimin e kufijve.

“Korrigjimi i kufijve ka dërguar sinjal të rrezikshëm. Për ta komplikuar situatën zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, thotë se nëse BE-ja nuk liberalizon vizat, Kosova duhet të rishikojë qasjen. Ne kemi informacione se disa shtete që kemi pritur të përkrahin liberalizimin tani janë kundër. Bëhet fjalë për takimet e ekspertëve. As qeveria nuk po na njofton, Gjermania, Franca, Belgjika janë kundër. Këta kanë disa informata që ne nuk i kemi, edhe gazetarët edhe deputetët duhet t’i bëjmë presion qeverisë që të na japin informatat e sakta”, tha Pacolli.

Ajo tha se tani është momenti të kërkohet përgjegjësi publike nga drejtuesit e institucioneve të cilët kanë manipuluar dhe zhvatur qytetarët dhe që kanë sjell vendin në këtë situatë të rëndë ekonomike e politike.

“Hashim Thaçi nga viti 2009 e deri më sot ka manipuluar qytetarët e Kosovës. Ramush Haradinaj i cili u bë kryeministër duke premtuar liberalizimin e vizave brenda 90 ditësh dhe i fali Malit të Zi 8200 hektarë tokë. Po ashtu zv/kryemisitrat Behgjet Pacolli e Enver Hoxhaj dhe ministrat Abelard Tahiri dhe Dhurata Hoxhaj, duhet të japin dorëheqje”, tha ajo.