Vetëvendosje ankohet se qëllimisht u këput kabllo e internetit nga kundërshtarët politikë

E publikuar: 31/05/2017 14:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje po ankohet se dikush nga kundërshtarët politikë, qëllimisht, e ka këputur një kabllo interneti që t’ia pamundësojë tubimin e planifikuar në Gjilan.

Zyrtarja për media e Vetëvendosjes, Tinka Kurti, ka shkruar në Facebook se këtë e kanë bërë “koalicionet e frikës”.

“Koalicionet e frikës i ka zënë paniku. Dikush e ka prerë kabllon e internetit që siguronte lidhjen për tubimin tonë hapës në Gjilan. Pra, imagjinojeni deri ku ka arritur frika e kundërshtarëve, që as në debate s’po vijnë e tani duan të na pengojnë tubimet”, ka shkruar Kurti.

Ajo është ankuar se “kjo është shkelje e Kodit të Mirësjelljes së Subjekteve Politike, si dhe e rregullave të KQZ. Përveç kësaj është gjest prej humbësish”.

Por, ajo ka njoftuar se tubimin të tilla gjëra s’mund ta ndalin dhe se ai do mbahet e “do jetë madhështor”.