Vetëvendosja e kundërshton Lumezin se kush duhet t’i kryejë hetimet për rastin Dehari

E publikuar: 24/10/2019 16:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, lidhur me atë se cila prokurori duhet ta hetojë rastin Dehari. Përderisa Lumezi po deklaron se hetimet do t’i kryejë Prokuroria e Prizrenit, VV-ja po kërkon që rasti të hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, raporton Express.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, deklaroi sot se rasti do të hetohet nga Prokuroria e Prizrenit.

“E njëjta prokurori do ta hetojë rastin, sepse kompetenca territoriale është e Prizrenit, dhe s’mundet ndonjë prokurori tjetër. Por do ta kërkojmë edhe ndihmën ndoshta të partnerëve ndërkombëtarë me na ndihmua në hetimin e këtij rasti”, u shpreh kryeprokurori Lumezi.

Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja në një konferencë për gazetarë ka kërkuar që rastin ta marrë Prokuroria Speciale.

“Ne kërkojmë që prokuroria e Prizrenit të mos merret me hetimin e vrasjes së Astrit Deharit. E njëjta prokurori nuk mundet pasi që ka humbur besimin dhe pasi që është involvuar në këtë rast të sjellë hetime objektive. Ne kërkojmë nga Prokuroria Speciale të marrë rastin”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se sot në orën 10:30, raporti i ekspertizës në gjuhën frënge dhe në gjuhën shqipe u është dorëzuar familjes Dehari dhe përfaqësuesit të tyre ligjor.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, ata kanë treguar konkluzionet e ekspertizës.

Sipas Prokurorisë, në raportin e ekspertizës konstatohet se “hipoteza e një vetëvrasjeje të Astritit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”.

“Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tonë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet në raport.