Veteranët ultimatum Qeverisë: Ose pensionet ose dalim në protesta

E publikuar: 30/08/2017 16:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, në takimin që ka pasur me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se pensionet e tyre do të paguhen pas rishikimit të buxhetit.

E ideja e kryeministrit Mustafa nuk po u pëlqen veteranëve të luftës. Ata i kanë dhënë afat kryeministri në largim, Isa Mustafës që deri më datën 7 shtator t’ua alokoj atyre pensionet, në të kundërtën do të ballafaqohen me protesta nga ana e veteranëve.

Kështu ka thënë në një deklaratë për Gazetën Express, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Ai ka thënë se një pjesë e pensioneve tashmë ka dal.

“…një pjesë të pagave do të na i qesin. Muajin e ardhshëm është rishikimi i buxhetit. Por ne afatin e fundit e kemi dhënë që të gjitha pensionet të dalin deri më 7 shtator, në këtë datë duhet të dalin pensionet e plota. Nëse nuk na dalin pensionet atëherë ne do të dalim në rrugë”, ka thënë Gucati për Express.

E ndërkohë rishikimi i buxhetit të këtij viti ka qenë e paraparë të bëhet në Kuvend gjatë muajit gusht mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak se Kuvendi nuk është konstatuar ende pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka deklaruar se për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit, si pasojë e mos konstituimit të institucioneve, pagesat e pensioneve për veteranët mund të shtyhen.