Veteranët e vërtetë të UÇK’së ndjehen të fyer e të zhgënjyer

E publikuar: 17/09/2018 20:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Erdhi nga Bosnja për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së, por edhe pse ishte pjesë e saj, emri i tij figuron si veteran i rremë në listat e publikuara të veteranëve.
Adem Qabrati nga fshati Planejë e Prizrenit, tregon se ishte pjesë e Zonës Operative të Pashtrikut, brigada 128 e UÇK-së, raporton KTV.

Shprehet se është ndierë i fyer dhe i irrituar kur e pa emrin e tij në listën e veteranëve të rremë.

Qabrati tregon se publikimi i listave të veteranëve si të rremë, mund të jetë bërë edhe nga ndërhyrjet politike, për çka kërkon pastrim të tyre.

Luftës së UÇK-së thotë se nuk iu bashkua për të përfituar para, por këtë e bëri për të fituar lirinë, duke shërbyer jo vetëm si ushtar, por edhe si mjek.

Në listën e veteranëve të rremë të UÇK-së, 19 vjet pas luftës e gjeti veten edhe Fehmi Kryeziu nga Malisheva, i cili gjatë luftës ishte komandant i Policisë Ushtarake të brigadës 122 Imer Krasniqi.

Kryeziu thotë se përfshirja e veteranëve të vërtetë në listat e veteranëve të rremë, është bërë nga politika, për të diskredituar punën e ish-prokurorit special, Elez Blakaj.

Të njëjtin gjë e thotë edhe kreu Organizatës së Veteranëve të Malishevës, Metush Kryeziu. Ai vetëm gjatë së hënës, i ka takuar më shumë se 200 veteranë, të cilët figurojnë në aktakuzë si veteranë të rremë, ani pse ishin pjesë e luftës që nga fillimi.

Të dielën është publikuar lista me emrat e veteranëve të UÇK-së, që dyshohet të jenë të rremë, sipas aktakuzës së dorëzuar në gjykatë nga Prokuroria Speciale.

Aktakuza e dorëzuar më 14 shtator në Gjykatën Themelore të Prishtinës, akuzon për fryrje të listave të veteranëve 12 anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit, në krye me Agim Çekun.