Veteranët e Dukagjinit: Me asnjë çmim nuk do të lejojmë që territori i Kosovës t’u falet fqinjëve

E publikuar: 31/03/2016 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Degët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Deçan, kanë lëshuar një kumtesë për media rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ja se çfarë thuhet në kumtesën e veteranëve të luftës nga Dukagjini:

“I kemi përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me çështjen e përcaktimit të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Për çudi, në mbarë botën komisionet shtetërore i mbrojnë të drejtat e shtetit që e përfaqësojnë, ndërkaq në Kosovë ndodhë e kundërta, Komisioni Shtetëror ia falë mijëra hektarë tokë shtetit fqinj, por as nuk pendohet, as nuk ndëshkohet, përkundrazi lavdërohet.

Edhe deklarimi i djeshëm i “ekspertëve ndërkombëtarë”, të angazhuar nga presidentja Atifete Jahjaga në ditët e fundit të mandatit të saj si presidente, për të dhënë mendim për demarkacionin me Malin e Zi, fatkeqësisht doli të jetë ashtu siç kemi dyshuar që nga fillimi: i bërë shkel e shko me nguti sa për t’i legjitimuar shkeljet e Komisionit të Muratit kundër shtetit të Kosovës, që për ne janë të padrejta dhe të papranueshme.

Përkujtojmë se gjysma e territorit të sotëm të Malit të Zi janë troje autoktone shqiptare, të përvetësuara nga Mali i Zi me mbështetjen e fuqive ndërkombëtare e veçanërisht të Rusisë, që nga Kongresi i Berlinit (1878) e këndej. Në anën tjetër, duhet përmendur se më shumë se gjysma e fshatrave të krahinës së Rugovës kanë mbetur padrejtësisht në Malin e Zi, qysh pas Luftës së Dytë Botërore e këndej, e tash duan t’i marrin edhe mijëra hektarë të rinj!

Duhet përmendur fakti se shqiptarët në Mal të Zi nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash, madje as të drejtat elementare njerëzore e kombëtare, me gjithë faktin se shqiptarët e atjeshëm ishin dhe janë faktori vendimtar edhe për shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi, edhe për ekzistencën e mëtutjeshme të tij si shtet.

Jemi të vetëdijshëm për të gjitha të bëmat ndaj shqiptarëve në të kaluarën jo të largët, jemi të vetëdijshëm edhe për rrethanat e reja dhe distancimin nga Rusia dhe përcaktimet euro-atlantike të shtetit fqinj, por është tepër e gabueshme që të pretendohet që marrëdhëniet fqinjësore të ndërtohen duke bërë padrejtësi të reja ndaj shqiptarëve, në këtë rast duke e cenuar rëndë territorin e shtetit të Kosovës.

Nuk e dimë dhe as që na intereson të dimë se çfarë hartash të falsifikuara ku tkurret territori i Kosovës, kanë paraqitur gjeneralët kriminelë të ushtrisë serbe në Kumanovë, në qershor të vitit 1999, sepse për ne janë të papranueshme. Republika e Kosovës është dëmtuar në territor gjatë procesit të demarkacionit me Maqedoninë, po tentohet të dëmtohet edhe me Malin e Zi, por parashihet të dëmtohet edhe më rëndë në procesin e demarkacionit me Serbinë.

Ua përkujtojmë atyre që kanë harruar, se çdo pëllëmbë të këtyre kufijve i kemi larë me gjakun tonë, jo vetëm ne si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe brezat paraardhës. Me asnjë çmim nuk do të lejojmë që të bëhet shënjimi kësaj vije kufitare ku i falen Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë.

Prandaj, ua bëjmë me dije të gjithëve, edhe vendorëve, edhe ndërkombëtarëve se ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Me asnjë çmim nuk do të lejojmë që territori i Kosovës t’u falet fqinjëve malazezë, as atyre serbë, qoftë edhe me çmimin e jetëve tona.”