Vetëm gjashtë shtete në botë ofrojnë të drejta të barabarta në punë për burrat dhe gratë

E publikuar: 02/03/2019 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse jeni grua dhe dëshironi të keni të drejta të barabarta në punë në krahasim me burrat, vendet më të mira për të punuar janë Belgjika, Danimarka, Franca, Letonia, Luksemburgu dhe Suedia.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, ku janë analizuar ligjet për barazi gjinore në punë, shumica e shteteve në botë nuk ofrojnë të drejta të barabarta për të dy gjinitë. Ky raport përfshin 187 shtete, ndërsa në të thuhet se asnjë shtet para dhjetë vjetëve nuk ka ofruar të drejta të barabarta në punë për burrat dhe gratë.

Në metodologjinë e vlerësimit të shteteve u përfshinë tetë faktorë që ndikojnë në vendimet ekonomike për gratë gjatë punës, duke nisur nga liria e lëvizjes deri te marrja e pensionit. Secili shtet është vlerësuar me një numër të caktuar të pikëve, ndërsa vetëm gjashtë shtete kanë marrë pikë maksimale nga ky vlerësim.

Në mesin e 39 shteteve me më shumë se 90 pikë nga 100 të mundshme, 26 prej tyre janë shtete me të ardhura të larta vjetore për kokë banori. Pjesa jugore e Azisë ka shënuar përparimin më të madh në këtë vlerësim, ku shtetet e këtij rajoni kanë marrë mesatarisht nga 58 pikë, krahasuar me 50 pikë para një dekade.

“Barazia gjinore është një faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike. Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës dhe ne kemi rol në krijimin e një bote me më shumë mirëqenie, por nuk do të arrijmë ta plotësojmë këtë nëse ligjet na diskriminojnë”, tha presidentja e përkohshme e Bankës Botërore, Kristina Geogieva, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.