Vetëm dy deputetë nga 43 janë tërhequr nga iniciativa për ta zhbërë Specialen

E publikuar: 14/01/2018 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të rikthehet në rend dite në Kuvend këtë të mërkurë.

Në këtë mbledhje, pritet të vendoset nëse do të procedohet tutje Projektligji për shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Deri tani, nga lista e 43 deputetëve nënshkrues të iniciativës, vetëm Islam Pacolli i AKR-së dhe Milaim Zeka i Nismës kanë tërhequr nënshkrimin e tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, nuk ka dashur fare të komentojë këtë çështje.

Por, jo të gjithë deputetët nënshkrues të PDK-së vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim për zhbërjen e ligjit për Gjykatën Speciale.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, ka thënë se do të veprojë ashtu siç do të vendosë grupi parlamentar i PDK-së.

Ndërkaq, deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, nuk ka dhënë asnjë koment për këtë temë.

Edhe AAK-ja vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë, me gjithë kritikat e shumta për këtë të zyrtarëve ndërkombëtarë e përfaqësuesve diplomatikë në Prishtinë.

Deputetja, Time Kadrijaj, ka thënë se ata nuk do të tërhiqen, përveç nëse këtë e bëjnë iniciuesit.

Deputeti Nait Hasani, që ka iniciuar mbledhjen e këtyre nënshkrimeve, nuk është përgjigjur në thirrjet e KTV-së.

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, i kontaktuar nga KTV-ja, shkurt ka thënë se kurrë në jetën e tij kur ka vepruar diçka, nuk është kthyer prapa.

Por, për dallim nga Shala, bashkëpartiaku i tij, Milaim Zeka, e ka tërhequr nënshkrimin dhe ka thënë se nuk do ta përkrahë shfuqizimin e Speciales.

Ndërsa, deputetët e minoriteteve që dhanë nënshkrimet e tyre për të shfuqizuar Specialen, thonë se vendimi i tyre do të jetë i njëjtë me partnerët e koalicionit qeverisës.

Deri tani, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë shprehur kundër nismës për ta shfuqizuar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.