Vetëm 4 për qind e grave në Kosovë kanë të drejtë në pronë

E publikuar: 11/02/2016 11:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në konferencën “Rritja e Pjesëmarrjes së Grupeve të Margjinalizuara në Kosovë”, u tha se vetëm 4 për qind e grave në Kosovë kanë të drejtë në pronë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie tha se nuk mjaftojnë që gjërat të jenë të shkruara vetëm në letër, por duhet edhe të zbatohen.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se rregullimi i të drejtave pronësore është çështje e ndejshme dhe është pjesë e zhvillimit ekonomik të një vendi.

Ai tha se 62 për qind e rasteve nuk e kuptojnë që një grua apo vajzë duhet të ketë të drejtë në pronë.

Sipas tij, gratë dhe vajzat kanë të drejtë në trashëgimi edhe pse në praktikë kjo është ndryshe dhe abstrakte sepse nuk merret seriozisht.

Ministri i Drejtësisë tha se kjo nuk zgjidhet vetëm me legjislacion, por duhet të ndikohet edhe nëpërmjet konferencave, shkollimit.

Ai tha se dhuna e parë që mund t’i ndodh një femre është heqja dorë nga pasuria në momentin që del nga shtëpia.

Sipas tij, për mentalitetin patriarkal në Kosovë duhet vënë në lëvizje masa të rrepta për të vënë barazi në këtë drejtim.

“Jemi një popull që shquhemi për respekt të nënave dhe kjo duhet të konkretizohet duke ndarë në mënyrë të drejtë pasurinë”, tha ai. /Telegrafi/