Veseli zbulon detaje nga takimi i krerëve të shtetit me numrin tre të DASH’it

E publikuar: 11/03/2019 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpalosur detaje nga takimi që ka zhvilluar, bashkë me krerët tjerë të vendit, me nënsekretarin amerikan të Shtetit, David Hale, të shtunën.

Veseli ka treguar se Hale, numri tre i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të kenë një involvim serioz në procesin e Dialogut, ndërsa ua ka lexuar edhe një herë atyre letrën që kohë me parë e ka dërguar Presidenti Donald Trump. 

“Ndihmëssekretari ka qenë shumë i qartë, shumë i drejtpërdrejtë dhe na ka pyetur, në fakt ka marrë letrën e Presidentit Trump dhe ka nënvizuar disa fakte, po tentoj të barti disa detaje nga takimi: Rast unik historik, edhe për sovranitetin e Kosovës. Tha cili do të jetë qëndrimi juaj, për faktin se SHBA-të dëshirojnë të kenë një involvim serioz, por po e potencoj Ndihmëssekretarin, por jo edhe të humbim kohë nëse nuk ka gatishmëri të Kosovës të marrë vendimmarrje. Ky ka qenë një qëndrim, i cili mund të konsiderohet në pjesën e parë një mesazh i jashtëzakonshëm për qëndrimin e SHBA-së që Kosova shkon në Dialog si shtet i pavarur dhe sovran dhe për njohje, por në të njëjtën kohë që përgjegjësinë e merrni ju – dëshironi të shkoni apo nuk dëshironi të shkoni?”, ka thënë Veseli për Pista.news.

Veseli, më tutje, ka folur edhe për çështjen e taksës, duke treguar se Nënsekretarit Hale ka pyetur nëse Kosova fiton duke e vendosur taksën si mjet bllokimi, apo duke shkuar në tavolinën e bisedimeve.

“Tarifa është vendim i juaji si shtet i pavarur dhe sovran, por ju duhet të mendoni strategjikisht: fitoni duke e vendosur tarifën si mjet bllokimi, apo dëshironi që të shkoni në tavolinën e bisedimeve, të bartni qëndrimet të cilat i keni ju si shtet i pavarur dhe sovran, përfshirë edhe frikën për ndarje – ku qëndrim shumë i qartë nga Ndihmëssekretari edhe këtë herë ishte se SHBA-ja nuk preferon asnjë opsion të cilin nuk e preferojnë palët, apo dëshironi ta përdorni pjesën e tarifës si pretekst”.

Kryeparlamentari gjithashtu është shprehur se taksa ka qenë propozim i tij, i orientuar tërësisht ndaj Serbisë dhe ajo ka kuptim vetëm derisa drejtohet kundër Serbisë, por jo nëse kalon si qëndrim ndaj SHBA-ve.

“Tarifa ka kuptimin vetëm derisa drejtohet kundër Serbisë. E doni qëndrimin tim? Duhet edhe 1000 për qind t’ia bëjmë Serbisë, për vetë faktin se po krijon reaksion ndaj nesh se si na ka bllokuar, se si nuk ka korrektësi ndaj nesh. Por, në momentin kur të kalon qëndrim ndaj SHBA-së, unë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërron qëndrim”.

“Tani ne në këtë moment i kemi dy rrugë: një, t’i demonstrojmë vetvetes, por t’i demonstrojmë më shumë edhe partnerëve, se më Serbisë nuk kemi çka t’i demonstrojmë, dhe të bllokohemi në këtë proces. Pastaj, mund të vijmë në një situatë, siç tha Ndihmëssekretari, tha – ju do ta vazhdoni vetë, ne shikojmë. Bile, si me gjysmë shaka tha – nëse kemi interes kur bëheni ju gati, ndoshta vijmë, por ndoshta edhe nuk vijmë, i shohim interesat tona. Do të thotë, kjo është një situatë në të cilën jemi reale. Kemi një qëndrim, i cili është bukur i qartë nga partnerët tanë perëndimorë, dhe Kosova duhet të marrë vendimet si shtet i pavarur dhe sovran”, ka deklaruar Veseli./Express/