Veseli viziton policët e plagosur në aksionin në Veri – të pakompromis ndaj krimit

E publikuar: 28/05/2019 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot në Spitalin e Mitrovicës, policët që u plagosën gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës.

Ai tha se sundimi i ligjit do të jetë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Ky do të jetë edhe një mesazh për të gjithë ata të cilët janë të involvuar në krim të organizuar dhe korrupsion, shteti i Kosovës dhe ligji do të jetë i pakompromis, pavarësisht nëse mbajnë një petk zyrtar apo kanë një post zyrtar, qoftë politik apo në uniformë, pa dallim etnie. Ajo çfarë është pozitive, policët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Njëri i cili ka qenë i lënduar më rëndë është jashtë rrezikut për jetë. Po ashtu edhe policët e tjerë të cilët do t’i vizitojë tani, janë jashtë rrezikut për jetën. Ata janë trimat e Kosovës. Ne, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe unë si bartës i përgjegjësive institucionale, i falënderoj për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme, për mbajtjen e rendit dhe sundimin e ligjit. Do ta kenë përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë ai.