Veseli: Ushtrinë do ta kemi në mesin e dhjetorit

E publikuar: 29/11/2018 17:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Kosova do të bëhet me ushtrinë e saj gjatë këtij viti, diku kah mesi i muajit dhjetor.
I pyetur nga gazetarët lidhur me datën e mbajtjes së seancës në të cilën do të votohen ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, Veseli ka pohuar se për këtë çështje do ta thërrasë të hënën mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Këto deklarata, Veseli i ka bërë në një aktivitet në Skënderaj, ku kishte shkuar në përurimin e stadiumit ndihmës të qytetit.

“Këtë vit, shumë shpejt do ta kemi Ushtrinë e Kosovës. Në mesin e muajit dhjetor do ta kemi votimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Të hënën do ta kemi mbledhjen e Kryesisë dhe do ta përcaktojmë datën. Do t’i respektojmë të gjitha procedurat. Komisionet parlamentare janë në përfundim të punës së tyre. Vendimmarrja do të jetë transparente. Data do të mbledhë gjithë sakrificën e popullit tonë, dëshirën për liri, për paqe dhe të ardhme”, ka deklaruar Veseli.

Kryeparlamentari Veseli, po ashtu, ka thënë se është në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe në bashkëpunim me Qeverinë e Kryeministrin.

Ai ka pohuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do ta transformohet në Forcë të Armatosur të Kosovës për qëllime paqësore.

“Populli ynë asnjëherë nuk ka qenë agresor ndaj askujt dhe as nuk do të jetë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe do të jetë përjetë i tillë, përderisa populli i Kosovës nuk e ndërron mendjen”, ka thënë Veseli