Veseli ua dërgon deputetëve propozimin për Komision Shtetëror për dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë

E publikuar: 15/05/2019 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë ku për pikë të rendit të Ditës do të ketë propozimin e Kryetarit, Kadri Veseli për themelimin e Komisionit Shtetëror për dokumentimin e krimeve të luftës të regjimit serb në Kosovë.

Themelimi i këtij Komisioni është një nga hapat e parë të iniciativës së Veselit për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë. Veseli ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një Muzeu të Gjenocidit, Muzeun e Dëbimit si dhe Shpalljen e Ditës së Gjenocidit ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli tashmë propozimin e tij se si do të duket ky komision, detyrat, dhe hapat e mëtutjeshëm ua ka dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shkruan Lajmi.net.

“Ky Komision do ta ketë si mision mbledhjen e të dhënave, hulumtimin, dokumentimin dhe klasifikimin të krimeve të bëra nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë. Qëllimi i kësaj iniciative është që krimet që kanë ndodhur në vendin tonë të dokumentohen në bazë të praktikave ndërkombëtare dhe në bazë të këtyre fakteve të kërkohet themelimi i një Gjykate që trajton në mënyrë të paanshme dhe profesionale krimet e bëra nga Serbia dhe forcat e saj ushtarake e paramilitare”, shkruan ndër të tjera në propozimin e Veselit.

Ky komision është paraparë të përbehet nga përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore si dhe të organizatave të  familjeve të viktimave të vrara në luftë. 

Më poshtë lexoni propozimin e Veselit:

 

SHPËRNDAJE