Veseli thotë se investimet turke në Kosovë shtytje e zhvillimit ekonomik

E publikuar: 22/04/2016 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Turqisë, Numan Kurtulmus, të cilin e njoftoi për zhvillimet në vend dhe hapat e mëdhenj që ka bërë Kosova viteve të fundit, duke u shndërruar kështu në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është bërë e ditur përmes një komunikate.

“Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi Kombëtar i Turqisë kultivojnë ndërmjet tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës, duke shfrytëzuar përvojën e çmuar dhe të gjatë parlamentare të Turqisë”, thuhet në komunikatë.

Përkrahjen ekonomike të Turqisë dhe investimet e kompanive turke në Kosovë, sipas Veselit janë shtytje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndërsa theksoi nevojën që bashkëpunimi në këtë fushë midis dy shteteve, të forcohet dhe zgjerohet më tej. Veseli, siç bëhet e ditur në komunikatë, ka thënë se Kosova është duke punuar maksimalisht që nga një vend konsumues, të kthehet në një vend prodhues.

Veseli ka kërkuar që ndihma e Turqisë ndaj Kosovës të vazhdojë.

Më tutje bëhet e ditur se, “zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, nga ana e tij, duke shprehur kënaqësinë për arritjet e Kosovës, theksoi se ajo mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme të shtetit mik turk në të gjitha fushat, ndërsa bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të marrë dimensione të reja në fushat me interes të përbashkët”.

Po sot, në kuadër të shënimit të Ditës së komunitetit turk në Kosovë, Veseli i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Turqisë, Kurtulmus, ministri i Qeverisë së Kosovës Mahir Yagcilar dhe deputeti Fikrim Damka, kanë takuar në ambientet e Kuvendit një grup nxënësish të këtij komuniteti.