Veseli: Të jetësohet barazia gjinore në të gjitha segmentet e jetës

E publikuar: 05/07/2019 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot, në shënimin e 14-vjetorit të themelimit të Grupit të Grave Deputete (GGD), ka thënë se zhvillimi i një shoqërie arrihet vetëm kur aktivizohet i gjithë potenciali i saj njerëzor, e që të ndodhë kjo, sipas tij, është e domosdoshme të jetësohet barazia gjinore në të gjitha segmentet e jetës sociale dhe institucionale.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli tha se GGD-ja është grupi më i veçantë në të gjitha legjislaturat e këtij Kuvendi, i cili, gjatë gjithë ekzistencës së tij, e ka justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin është krijuar, transmeton Telegrafi.

Ai tha se ky grup ka arritur të funksionojë si një forum përfaqësues përtej dallimeve partiake, në funksion të një agjende nacionale, siç është agjenda e barazisë gjinore dhe mbështetja e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.

“Unë sot jam këtu para jush që t’u përgëzoj për frymën shumë pozitive të bashkëpunimit që keni ndërtuar dhe sukseset që keni arritur në fushat e angazhimit tuaj. Njëkohësisht t’ju siguroj se do ta keni përkrahjen time të pakursyer që ju të vazhdoni edhe më tutje, ta fuqizoni grupin dhe t’i zgjeroni angazhimet e tij”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova ka ecur shumë në këtë drejtim, kur është fjala të legjislacioni, por shtoi se ende ka shumë punë për të bërë që ky legjislacion të zbatohet në mënyrë rigoroze. Siç tha Veseli, barrierat e mentaliteteve të vjetra që ushqejnë paragjykimet diskriminuese dhe praktikat e përjashtimit të grave nga jeta sociale dhe institucionale, ende janë duke rezistuar, megjithëse forca e tyre nga dita në ditë po vjen duke u zbehur.

Duke përmendur kontributin e grave deputete në këtë progres, kryetari i Kuvendit kujtoi se vetëm në vitin e fundit ato kanë arritur të trajtojnë disa prej ligjeve të rëndësishme.

Përkundër arritjeve, kryeparlamentari Veseli tha se sfidat si shtet dhe shoqëri ende janë të mëdha, në radhë të parë ato të zhvillimit ekonomik.

“Puna është ajo që i jep kuptim jetës njerëzore në shoqërinë bashkëkohore, prandaj obligimi ynë më i madh, detyra më e madhe patriotike në ditët e sotme, është që të bëjmë të mundur një shoqëri të shansave për të gjithë qytetarët e Kosovës, një shoqëri ku mund të ketë punë për të gjithë, sidomos për të rinjtë tanë. Që të ecim në këtë drejtim, është e nevojshme t’i lëmë debatet shterpe dhe ta kthejmë politikën tek qytetari, tek problemet e përditshmërisë së tij jetësore. Vetëm duke e bërë këtë, merr kuptim roli ynë si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve. I potencova këto mesazhe, sepse ju jeni një nga forumet më adekuate për një gjë të tillë”, tha Kryeparlamentari Veseli.