Veseli: Qeveria në ikje po e rrezikon sovranitetin e veriut të Kosovës

E publikuar: 04/04/2020 15:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselo, ka reaguar ashpër për cenimin e sovranitetit të Kosovës në pjesën veriore, me pëlqim të qeverisë në ikje.

Në konferencë për gazetarë, kreu i PDK-së, tha se akti i djeshëm i Serbisë, e cila shtriu gjendjen e saj të jashtëzakonshme në pjesë të Kosovës, duke futur me direktiva të Beogradit në karantinë dhe ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dy komunat e Republikes se Kosovës, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, është cenim i rëndë i sovranitetit.

Ai tha se qeveria në ikje, përveç heshtjes ndaj kësaj situate, ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetaret shqiptarë dhe komuniteteve të tjera jo-serbe, në dorë të një shteti që as nuk i do dhe as nuk i mbron.

Veseli tha se muaj më parë në Kuvendin e Kosovës kishte paralajmëruar rrezikun që ky kryeministër do ta kthej Serbinë në Kosovë.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Jam detyruar ta thërras këtë konferencë si shqetësim të madh për sigurinë komëtare, lidhur me atë që po ndodh në veri.

Akti i djeshëm i Serbisë, e cila shtriu gjendjen e saj të jashtëzakonshme në shtetin tonë, duke futur me direktiva të Beogradit në karantinë dhe ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dy komunat e Republikes se Kosovës, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, është cenim i rëndë i sovranitetit.

Për javë të tëra kjo qeverie në ikje nuk ka reaguar ndaj vendosjes në veri të Kosovësm të orës policore të imponuar nga Beogradi.
Përveç heshtjes ndaj kësaj situatë, kjo qeveri ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetaret tanë, shqiptare dhe komuniteteve të tjera jo-serbe, në dorë të një shteti qe as nuk i do dhe as nuk i mbron.

Por ajo që e bën më alarmante këtë situatë është fakti që kjo qeveri edhe ka aprovuar, me marrëveshje të fshehtë, futjen e qindra zyrtarëve të shtetit serb, ku jo të gjithë janë personel shëndetësor.

Kjo qeveri në largim është duke bërë aktin më të rëndë të dorëzim-kapitullimit të një pjese të territorit tonë.

Ky kryeministër i shkarkuar, nuk duhet të lejohet që të vazhdojë me këto gabime të rënda të njëpasnjëshme.

Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të marrin masa urgjente për ta rikthyer sovranitetin në veri.

Po ashtu, pa humbur kohë, kjo situatë e rrezikshme kërkon medoemos mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për ta trajtuar këtë situatë me maksimumin e seriozitetit.

Në Kuvendin e Kosovës kam paralajmëruar rrezikun që ky kryeministër do ta kthej Serbinë në Kosovë.

Kjo gjë po rrezikon të ndodh më shpejt sesa mund ta kisha menduar.

Por le ta dijë, ai dhe gjithë të tjerët, Serbia nuk do të kthehet më kurrë në Kosovë.