Veseli paralajmëron opozitë të fortë dhe rizgjim të fuqishëm të PDK-së

E publikuar: 11/10/2019 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur sot për rrugëtimin e deritashëm të PDK-së, në 20 vjetorin e themelimit të partisë.

Para qindra përfaqësuesve të strukturave të PDK-së, Kadri Veseli tha se subjekti që tani drejton, është krenare si trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën, njofton Klan Kosova.

Ai tha se sot që PDK është lidere e opozitës dhe do të jetë gjithmonë përball sfidave për ta ruajtur dhe forcuar Republikënne Kosovës.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

Para 20 vjetësh, shume idealistë të lirisë, të prirë nga luftëtarë dhe intelektual të ardhur nga betejat e lavdishme, të cilëve ju bashkuan edhe shumë veprimtarë të sinqertë, nisën një tjetër projekt të madh për Kosovën – të cilin, më pas, historia do ta njohë si arritje të jashtëzakonshme.

Me histori të përpjekjeve të vështira dhe të dhimbshme, u bënë bashkë – që me të njëjtën atdhedashuri e përkushtim ta çojnë përpara kombin dhe vendin.

Sfidat e lirisë nuk ishin të lehta për Kosovën.

Sot, 20 vjet më pas, e themi me krenari se Partia Demokratike, trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën.

Bota rrallë sheh një projekt të tillë suksesi!

Kur askush nuk priti, pasi iu nënshtruam proceseve demokratike, me dinjitet pranuam humbjet politike të brendshme, pas fitoreve në beteja luftarake me Serbinë.

Por, PDK nuk shkatërroi asgjë.

Ne gjetëm forcën e konsolidimit të brendshëm, morëm përgjegjësitë e mëdha për vendin në procesin e negocimit për të ardhmen e vendit tonë.

Qytetari e vlerësoi këtë, mirë dhe drejt.

Pas 8 vjetësh, Partisë Demokratike qytetarët ia besuan drejtimin e vendit.