Veseli paralajmëron nismë ligjore për krimet e komunizmit në Kosovë

E publikuar: 10/06/2020 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka paralajmëruar inicimin e nismës ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë, pas vizitës në burgun e OZN-ës në Prizren.

Ai tha se do angazhohet që procesi i memorizimit të së kaluarës historike të rregullohet dhe të mbrohet me ligj, njofton Klan Kosova.

“Sot në Prizren vizitova ndërtesën e ish burgut të OZN-ës e cila ka funksionuar gjatë viteve 1945 -1965 në këtë qytet, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë e patriot, sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë”.

“Në ambientet e brendshme të kësaj ndërtese ende ekzistojnë gjurmët e dhembjes të qindra e mijëra shqiptarëve të cilët u arrestuan, torturuan dhe u vranë si të dënuar politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore”.

“Bazuar në të gjitha këto dëshmi të dokumentuar nga punonjës të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është hartuar projekt propozimi i “Muzeut të Dhunës” i cili tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit”.

“Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj. Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë. Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces. E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav. PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme”.