Veseli në Kongresin Amerikan bën thirrje për njohje nga vendet që s’e kanë njohur Kosovën

E publikuar: 16/07/2019 17:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po merr pjesë në Forumin e Liderëve Parlamentarë të organizuar nga Kongresi Amerikan, në Washington.

Në hapje të këtij forumi ku po marrin pjesë kryetarë parlamentesh të shumë vendeve, madje edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, Veseli ka përcjellë një mesazh nëpërmjet të cilit u ka kërkuar atyre që ta njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Kosova është shtet i ri dhe po ec përpara. Kërkoj nga ju që ta njihni shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në Europën Juglindore. I shërben edhe miqësisë dhe zhvillimit të lidhjeve tona në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit”, ka deklaruar ai gjatë fjalës së tij në Kongresin Amerikan.

Në këtë forum të organizuar nga Kongresi Amerikan bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli po marrin pjesë edhe deputetët e opozitës, Mimoza Kusari-Lila dhe Avdullah Hoti.