Veseli: Jam i bindur se Haradinaj do të reflektojë për fyerjen ndaj ambasadorit amerikan

E publikuar: 18/01/2018 19:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas fyerjes që Nasim Haradinaj, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së i bëri ambasadorit amerikan, Greg Delawie, duke quajtur “palaço” ka reaguar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Reagimi i plotë:

SHBA me rolin që ka në Kosovë është shumë më tepër se vetëm partner ndërkombëtar. Nuk dua ta theksoj sa rëndësi strategjike ka SHBA për Kosovën, se është e vetëkuptueshme kjo. Por është gabim të mendosh rolin e SHBA-së ndaras nga roli i ambasadorit. Deklarata e dhënë sot nga një bashkëluftëtar i yni dhe përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së është një fyerje që nuk duhej të ndodhte asnjëherë në Kosovë nga njerëz që i kanë dhënë shumë Kosovës, si Nasimi me familje. Besoj dhe jam i bindur në reflektim nga Nasimi të kësaj çfarë ka ndodhur, ndaj ambasadorit të ShBA-së, një personaliteti të urtë, dinjitoz dhe shumë dashamirës ndaj vendit tonë!