Veseli i quan të ngutshme dorëheqjet në veri

E publikuar: 27/11/2018 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave veriore ka reaguar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai ka thënë se ky është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave.
Veseli ka shkruar në Facebook se dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore, është i dëmshëm edhe për klimën e marrëdhënieve në mes komuniteteve në Kosovë.

Gjithashtu ai ka ftuar qytetarët e veriut që të përmbahen dhe të kenë ekuilibër ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit.

“Ftoj të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit. Republika e Kosovës është e angazhuar që të respektojë të drejtat dhe interesat e çdo shtetasi të saj, prandaj problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të matur dhe vetëm nëpërmjet rrugëve politike dhe dialogut”, ka shkruar Veseli

Ai tutje ka thënë se Kosova do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të përmirësuar bashkëjetesën brenda vendit dhe për të konsoliduar stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon.

Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku, Leposaviqi she Zveҫani janë katër komunat që tashmë kanë mbetur pa kryetarë.

Ndërkaq dorëheqjet vijnë pas rritjes së taksës nga 10 në 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia si dhe arrestimeve të fundit në Veri./Express/