Veseli: Fitoren në luftën kundër korrupsionit do e arrijmë duke forcuar pjesëmarrjen e qytetarëve

E publikuar: 16/09/2019 13:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë tha se ndihet krenar që institucioni i Kuvendit është institucioni më transparent në Republikën e Kosovës.

“Ne krenohemi që kemi ndërtuar një demokraci funksionale, me zgjedhje të lira e të ndershme, me procese zgjedhore të pakontestuara me standarde të larta që certifikohen nga institucionet ndërkombëtare monitoruese më prestigjioze. Ne krenohemi edhe me lirinë e fjalës dhe të mediave, që i jep dinamizëm e pasuri lulëzimit të demokracisë sonë”, tha Veseli në fjalën e tij në hapje të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Duke folur për rrugëtimin që Kosova ka bërë për të arritur këtu ku është Veseli nuk ka harruar t’i përmend të gjithë ata që kanë sakrifikuar, ndërsa tha se ka ende punë për t’u bërë.

“ Republika e Kosovës, falë ndihmës dhe partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian ka bërë shumë në ndërtimin e institucioneve demokratike në vend. Por shumë ende ngelet për t’u bërë, dhe një ndër kërcënimet më të mëdha që i kanoset demokracisë sonë dhe të gjithë arritjeve që ka bërë shteti ynë në këto 11 vjet jetë është korrupsioni”, tha Veseli.

Veseli tha se klasa politike duhet që të bëjë çmos që të përballen me këtë fenomen por jo me retorika por me plane dhe nisma konkrete.

Me këtë rast ai foli për planin e tij konkret për ta çrrënjosur këtë fenomen.

“Prandaj kam propozuar një plan gjithëpërfshirës për ta çrrënjosur korrupsionin dhe nepotizmin dhe pjesë thelbësore pa dyshim është forcimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në luftimin e kësaj dukurie. Me ne bashkë do ta fitojmë këtë luftë, me ne bashkë do ta bëjmë ekonominë më të mirë, sovranitetin tonë më të fuqishëm dhe lidhjen tonë me SHBA dhe BE edhe më të ngushtë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kryetari Veseli ka folur edhe për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Ai ka ftuar të gjitha partitë politikë që të bëjnë një fushatë sa më të qetë dhe dinjitoze për të pasur një proces sa më të rregullt elektoral./Infosot/