Veseli: BE duhet ta kuptojë, kosovarëve duhet t’u hiqen vizat shumë shpejt

E publikuar: 13/03/2016 20:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që është duke qëndruar në Berlin për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare parlamentare për luftimin e antisemitizmit, ka thënë se Kosova aty është në mesin e 30 shteteve të botës.
“Shqiptarët e kanë një traditë të veçantë të tolerancës, veçanërisht në të kaluarën kanë treguar edhe rolin e vet historik. Atëherë kur në shumicën e pjesëve të rruzullit tokësor hebrenjtë janë djegur, shqiptarët kanë qenë ata që i kanë mbrojtur”, ka thënë Veseli në një intervistë për transmetuesin publik.

“Kosova veçohet për tolerancën që e ka – ndërfetare dhe ndëretnike. Kjo do të jetë ajo pjesë për të cilën do të diskutojmë, dhe natyrisht do ta shfrytëzojmë konferencën për avancimin e çështjes sonë, që ka të bëjë me integrimet evroatlantike dhe liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka deklaruar Veseli.

Në këtë konferencë Kosova do të tregojë se i respekton të drejtat e të gjithë komuniteteve, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Ai ka thënë se ky takim duhet të shërbejë që Kosova të kërkojë mirëkuptim nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.

Qytetarët e Kosovës “duhet të lëvizin sa më shpejt lirshëm, sikurse të gjithë qytetarët e tjerë të botës”, ka thënë Veseli.