Veseli: Do të përshpejtoj legalizimin e ndërtesave pa leje, por jo edhe për pronat e të fortëve

E publikuar: 15/09/2019 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka thënë se do të përshpejtojë legalizimin e ndërtesave pa leje, por kjo nuk vlen edhe për pronat e të fortëve.

“Vizitova banorë të lagjeve Mati dhe Kodra e Trimave të cilët nuk kanë ende tituj ligjorë pronësie për pronën e tyre. Si ta janë 350 000 në Kosovë që nuk kanë fletë poseduese duke mbajtur kështu jashtë qarkullimit të ekonomisë pothuaj 10 miliardë euro kapital të bllokuar. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe këta qytetarë duhet ta gëzojnë pronën tyre për të cilën kanë derdhur mund e djersë”, ka thënë Veseli, transmeton Koha.net.

Ai shton se mijëra qytetarë janë detyruar të ndërtojnë shtëpinë e tyre pa marrë leje sepse institucionet përkatëse nuk kanë qenë të afta që të bëjnë planifikime urbane e ofrojnë shërbime në përputhje me kërkesën e madhe në rritje për strehim.

“Mijëra të tjerë kanë blerë banesa në ndërtime të larta të ligjshme, paguajnë tatimin në pronë dhe ende prej vitesh nuk u është dhënë fleta poseduese prej burokratëve të papërgjegjshëm”, ka deklaruar Veseli.

Ai thotë se ky proces do të përfundojë brenda dy vitesh.

“Prandaj brenda dy vjetësh nëpërmjet legalizimit të përshpejtuar të gjithë këta qytetarë do kenë titullin ligjor të pronës së tyre nëse ajo nuk cenon interesin apo pronën publike. Miliarda euro do të zhbllokohen ligjërisht e do mund të bëhen pjesë e ekonomisë sonë duke hapur dhjetëra mijëra vende pune e duke ndërtuar një të ardhme më të mirë ekonomike për Kosovën.

Shpërndajeni këtë video nëse edhe ju pajtoheni që legalizimi duhet të ndodh sa më parë”, ka thënë Veseli.