Veseli dhe Calavera konfirmojnë të ardhmen evropiane të Kosovës

E publikuar: 08/03/2017 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera.
 Në takim u diskutua për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe veprimet që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës në përmbushjen e obligimeve që dalin këtë proces.

“Duke e falënderuar znj. Calavera për mbështetjen e deritashme të BE-së ndaj Kosovës, kryeparlamentari Veseli konfirmoi përkushtimin institucional dhe qytetar të Kosovës për të ecur sa më shpejt në rrugëtimin euro-integrues, si e vetmja alternativë për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kreut të Kuvendit.

Më tej, thuhet se kryetari i Kuvendit ka thënë se institucionet e vendit janë të vetëdijshme për sfidat dhe obligimet që ato kanë para vetes. Veseli gjithashtu ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian të mos hezitojë në marrjen e vendimeve në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj, sidomos kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë.

“Zyrtarja e lartë evropiane, Genoveva Ruiz Calavera, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e BE-së për ta përkrahur Kosovën në aspiratën e saj euro-integruese, por edhe në fuqizimin e brendshëm institucional dhe demokratik të saj”, përfundon komunikata.