Veseli: Demarkacioni obligim, presim shënjimin e kufirit edhe me Serbinë

E publikuar: 23/02/2017 12:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të enjten në Prishtinë se “Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi duhet të kalojë sa më shpejt” meqë, sipas tij, “është interes i Kosovës dhe i fqinjëve të saj”.

Veseli tha se Kosova ka obligimin e saj “të shënojë kufijtë e saj dhe nuk ka asnjë mundësi që t’i ndryshojë ata”.

Deklaratat e kryetarit të Kuvendit u bënë pak kohë pas publikimit të një raporti të Komisionit për Matjen e territorit të Kosovës, me të cilin siç u tha ‘Kosova nuk humbet asnjë pjesë të territorit të saj’.

“Kemi nevojë që të njohim kufirin tonë me të gjitha vendet e rajonit. Ne presim që të kemi shënjim të kufirit edhe me Republikën e Serbisë dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia”, tha Veseli pas takimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit bëri me dije se marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të futet në Kuvendin e Kosovës “në momentin që Qeveria e Kosovës ta procedojë atë”.

Ai e cilësoi demarkacionin me “rëndësi nacionale, strategjike, politike dhe në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, që u nënshkrua në praninë ndërkombëtare në Vjenë në vitin 2015, nxiti që atëherë kundërshtimin e opozitës në Kosovë, e cila pretendon se me marrëveshje “Kosova humbet pjesë të territorit të saj”.

Debati në Kuvend nuk arriti të zhvillohet për shkak të reagimit me forcë të opozitës dhe njëkohësisht kundërshtimeve edhe të një numri deputetësh të partive politike në koalicionin qeverisës.

Qeveria e Kosovës pak kohë më parë krijoi një Komision për Matjen e Territorit të vendit, që udhëhiqej nga kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, dhe në një raport të tij thekson se “Kosova nuk ka humbur territor të saj”, siç pretendon opozita.

Kundërshtimet ndaj marrëveshjes, thotë opozita në Kosovë, do të vazhdojnë ‘derisa qeveria të heq dorë nga ajo’.