Veseli: BE-ja duhet t’i japë Kosovës përgjigjen meritore për vizat

E publikuar: 24/11/2018 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian (BE) që të ndërmerr hapa të shpejtë dhe meritorë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Janë përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Europian (BE) për liberalizimin e vizave”, ka thënë Veseli.

“Për më tepër Kosova është duke përmbushur edhe një pjesë të kritereve që fare nuk janë brenda kornizave të kushteve për liberalizim”.

“Në agjendën e reformave evropiane ditën e djeshme Kuvendi ka aprovuar një mori projektligjesh të cilat janë të lidhura me reformën në sistemin e drejtësisë e cila ka rëndësi jo vetëm për integrimin tonë drejt Bashkimit Europian, por edhe për progresin në fushën e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të organeve të sistemit të drejtësisë për të qenë njerëz më të barabartë para ligjit, por edhe për të pasur mundësinë për një investitorë për të pasur siguri më të madhe”.

Lideri i PDK-së ka folur për zhvillimet e fundit politike në pjesën veriore të Kosovës.

“Çdo veprim i yni është institucional, legjitim. Kohë të gjatë kemi pasur veprim destruktiv dhe agresiv të shtetit serb karshi Kosovës, bllokadat në mallra në procesin e integrimeve”, ka thënë ai për EO.

“Ne kemi synim shumë të qartë që të kemi një fqinjësi të mirë që të kemi një dialog mes nesh, por në të njëjtë kohë ky shtet është i pavarur dhe sovran dhe nuk i nënshtrohet Serbisë”.