Verërat kosovare promovohen në panairin “ProWein 2019” në Gjermani

E publikuar: 18/03/2019 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë, Bekim Hoxha, po marrin pjesë në  Panairin Ndërkombëtar të verës “ProWein 2019”, i cili është duke u mbajtur në Dusseldorf të Gjermanisë.

 Në këtë panair, produktet e tyre janë duke i promovuar edhe bodrumet e verërave kosovare, siç janë: Bodrumi i Vjeter, Stone Castle, Illyrian Winery, Kosova Wine dhe Suhareka Wine, njofton Klan Kosova.

Gjatë kësaj kohe këto bodrume do ta kenë mundësinë që produktet e tyre t’i promovojnë para shumë blerësve ndërkombëtarë, e me këtë rast do të kenë mundësinë të krijojnë bashkëpunim për së afërmi me kompani të ndryshme në tregun ndërkombëtar.

 Pjesëmarrja e këtyre bodrumeve në këtë panair, është mundësuar falë mbështetjes së  Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila gjatë tërë kohës është e fokusuar në promovimin e  prodhimeve bujqësore edhe jashtë vendit.

 Panairi Ndërkombëtar “ProWein2019”, është hapur më 16 mars dhe do të zgjasë deri më 20 mars 2019.