Vendos Supremja, votat nga Serbia s’do të jenë pjesë e rezultatit të zgjedhjeve – Nisma në Kuvend

E publikuar: 14/11/2019 16:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Supreme ka vendosur që mbi 3 mijë e 700 pako me fletëvotime të ardhura nga Serbia mos të jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Supremja ka refuzuar të gjitha ankesat, përfshirë këtu të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, KDTP-së, PLE-së, PDA-së e PDS-së në PZAP, i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia,transmeton Lajmi.net.

“Gjykata Supreme brenda afatit ligjor ka shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me gjitha ankesat e pranuara nga deputet të subjekteve politike. Gjykata Supreme ka pranuar 7 ankesa të deputetëve nga subjekte të ndryshme politike. Pas shqyrtimit nga ana e Kolegjit ankesa nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) është refuzuar, dy ankesa nga deputetë të Lëvizja Vetëvendosje-së (LVV) janë refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDA) është refuzuar dhe Ankesa nga deputetë të Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e pa-lejuar”, thuhet njoftimin për media

Kësisoj, Nisma Socialdemokrate pritet të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve tashme ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Rinumërimi e certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zgjasë deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë.