Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq lehtëson lëvizjen

E publikuar: 31/01/2020 19:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të premten është lëshuar në përdorim vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, përkatësisht Komunën e Likovës me atë të Gjilanit.

Zyrtarë nga Kosova dhe ata nga Maqedonia e Veriut ishin të parët që e kaluan këtë pikë kufitare me letërnjoftime.

Kryeministri i Maqedonisë, Oliver Spasovski, pasi kaloi kufirin duke shënuar kështu dhe hapjen zyrtare të kësaj pike kufitare, ka theksuar se vendkalimi i ri krijon perspektiva për një bashkëpunim edhe më të thellë mes dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Gjatë fjalimeve të zyrtarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut theksi u vu krahas përfitimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe përfitimet që do të kenë dy vendet fqinje në aspektin ekonomik.

“Hapja e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiq, nuk është i rëndësishëm vetëm për banorët e këtij rajoni, por është vendkalim kufitar ndërkombëtar, plotësisht funksional, që paraqet mundësi të shkëlqyeshme për avancimin dhe bashkëpunimin e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, (Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës)”.

“Ky projekt ka rëndësi të veçantë për të gjithë ne shqiptarët në të dyja anët e kufirit. (Vendkalimi) Bellanoc – Stançiqi paraqet një urë lidhëse për komunikim më të lehtë dhe më të afërt mes shqiptarëve të rajonit, komunikim më të afërt mes familjeve dhe miqve në këtë zonë ndërkufitare”, ka theksuar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha se hapja e pikës kufitare Bellanoc – Stançiq, e ka përafruar komunën e Likovës dhe atë të Gjilanit.

“Hapja e këtij kufiri është një përafrim edhe më i madh mes Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është një përafrim i madh dhe sigurisht se do të ndikojë shumë edhe në lëvizjen më të shpejtë, më të lirë edhe për shkak të lidhjeve, mbi të gjitha, historike dhe kulturore në të dyja anët e kufirit”.

“Së dyti, hapja e kësaj pike kufitare do t’i kontribuojë në masë të madhe edhe zhvillimit ekonomik”, ka theksuar Hoxhaj.

Në bazë të të dhënave, këmbimi tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës gjatë vitit 2018, ka arritur në 300 milionë dollarë, duke shënuar rritje prej 14 për qind krahasuar me vitin 2017.

Maqedonia e Veriut ka eksportuar mallra në vlerë prej 265. 3 milionë dollarësh, kurse ka importuar mallra në vlerë 34.7 milionë dollarë.

Afaristët thonë se tregu kosovar për Maqedoninë e Veriut mbetet shumë i rëndësishëm, veçanërisht për eksportin e prodhimeve bujqësore, industrinë e produkteve ushqimore, ndërtimtarinë dhe sektorë të ndryshëm.

“Hapja e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiq është kërkesë e vjetër e banorëve të rajonit në fjalë. Si hap duhet përshëndetur dhe urojmë që të mos jetë vetëm premtim parazgjedhor, por realizimi dhe funksionimi të fillojë sa më shpejt. Për biznesin, çdo projekt infrastrukturor është mirëpritur pasi që ideja është të lehtësohet qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”.

“Deri në fund të kuartalit të tretë të vitit 2019, Maqedonia e Veriut në Kosovë ka eksportuar mallra në vlerë prej 222 milionë euro, ndërkohë që shteti ynë ka realizuar 400 milionë euro këmbim tregtar me Kosovën. Meritore, kryesore, e kësaj rritjeje ka qenë taksa ndaj produkteve serbe”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Objekti i pikës kufitare Bellanoc – Stançiq është ndërtuar me financa nga programi IPA i BE-së, në vlerë prej 1.2 milion eurosh, me synimin që ta lehtësojë bashkëpunimin mes dy shteteve, të kontribuojë për lëvizjen e lirë të qytetarëve në këtë zonë kufitare, pasi banorët e rajonit të Kumanovës dhe ata të Gjilanit, në vazhdimësi janë ankuar që në mungesë të një vendkalimi kufitar, janë detyruar të udhëtojnë edhe nga njëqind kilometra përmes vendkalimit kufitar Bllacë, për të arritur te familjarët e tyre që janë pak kilometra nga shtëpitë e tyre në komunën e Likovës.

Ndryshe, vendimi për realizimin e projektit për hapjen e vendkalimit Bellanoc-Stançiq është marrë në vitin 2011, duke u bërë kështu dhe pjesë e programit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ishte paraparë të përfundonte në fund të 2013-s.

Protokolli për hapjen e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiq u nënshkrua në gusht të vitit 2017, në Prishtinë.