Vendimi për Haradinajn shtyhet për 6 prill, jam peng politik

E publikuar: 02/03/2017 12:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata franceze në Colmar të Francës ka vendosur që të shtyjë për 6 prill vendimin në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Ky i fundit është paraqitur të enjten para gjykatës, por drejtësia franceze ka kërkuar edhe një muaj afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.

Pas seancës gjyqësore, e cila ka zgjatur vetëm disa minuta, Haradinaj është paraqitur para medieve dhe një mase njerëzisht të tubuar aty, duke thënë se shtyrja e vendimit ishte e padrejtë.

“Vendimi i radhës pritet më 6 prill. Jam peng politik. Ky proces është më së paku ligj dhe më së shumti politikë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë, me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës.

“Lufta 1998-99 është filtruar në Gjykatën e e Hagës. Luftë tjetër nuk ka ndodhë, pra unë jam peng politik. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij veprimi duhet t’u vijë turp si për edhe për ligjin edhe por të gjitha”, është shprehur ai.

Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.

Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Por, gjykata franceze, në seancën e mbajtur më 9 shkurt, nuk vendosi përfundimisht për këtë rast, duke e lënë Haradinajn nën masën e lirimit me kusht dhe duke e shtyrë vendimin për datën 2 mars.

Para kësaj seance gjyqësore, autoritetet serbe, kishin deponuar materiale shtesë, çka besohet se kishte ndikuar që gjykata në Colmar, të zvarriste marrjen e vendimit përfundimtar.

Por, Haradinaj, kishte deklaruar se fletë-arresti ndaj tij është i motivuar politikisht nga autoritetet serbe.

Haradinaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndalimi i tij nga autoritetet franceze nuk është dashur të ndodhë fare, ngase fletë-arrestet serbe, ka vijuar ai, janë të pakuptimta. Urdhër-arrestet serbe, ka thënë ai, nuk po respektohen tashmë nga vendet shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende tjera.

Ndalimin e tij në Francë, Haradinaj e ka cilësuar si mbajtje peng, që vjen si pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.

“Nikoliq, Vuçiq e Daçiq kanë qenë pjesë e strukturave të Millosheviqit që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit, prej Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Asnjëri nga ta nuk ka kaluar nëpër ndonjë gjykatë, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Ndërkaq unë kam kaluar para (nën jë proces gjyqësor) një gjykate ndërkombëtare e cila e ka filtruar, pra e ka dhënë pafajësinë time, për luften gjatë vitet 1998 – 1999”, ka thënë Haradinaj.

Pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.

Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së, kurse pas luftës, ai ishte themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i të cilës është edhe sot. (REL)