Vendimi për Azem Sylën merret sot

E publikuar: 30/04/2016 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, është vetëdorëzuar në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në Vërmicë, paraditen e së premtes tek autoritet kosovare. Syla pas dorëzimit është sjellë në qendrën e ndalimit në stacionin qendër të Policisë së Kosovës nga policia e EULEX-it dhe më pas është dërguar në Pallatin e Drejtësisë ku edhe është mbajtur seanca e parë ndaj tij.

Në këtë seancë, prokurori i rastit ka kërkuar nga trupi gjykues që Sylës t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokurori këtë kërkesë e ka bërë me arsyen se Syla mund të ikë jashtë vendit, të ndikojë në dëshmitarë, e posaçërisht në dëshmitarin kryesor që është Nazim Bllaca, i cili si rast është iniciuar nga dëshmitë e Bllacës. Mirëpo, propozimin e prokurorit e ka hedhur në mënyrë kategorike mbrojtja e tij.

Avokati mbrojtës i tij, Tomë Gashi, ka thënë së nuk janë përmbushur asnjë nga arsyet ligjore të parashtruara nga ana e prokurorit.

“Prokurori ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për Azem Sylën, për arsye që sipas tij, Azem Syla mund të ikë jashtë vendit, apo të ndikojë te dëshmitarët, në këtë rast te dëshmitari kryesor, Nazim Bllaca, i cili rast është iniciuar pikërisht për shkak të dëshmive të Nazim Bllacës. Mirëpo, as Azem Syla, dhe as unë nuk mund të ndikojmë në dëshmitarin kryesor në këtë rast, Nazim Bllacën, për shumë arsye dhe njëra ndër arsyet është se ai nuk është këtu dhe gjendet jashtë Kosove dhe prokurori deklaron se ai është dëshmitar i mbrojtur, në këtë rast gjë që nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Gashi.

Tutje, ai ka thënë se shtyrja e vendimit për masën e paraburgimit nga ana e gjyqtares për ditën e sotme, është bërë për shkak të volumit të madh të kësaj lënde.

Gashi shprehet optimist se gjyqtarja e rastit nuk do ta caktojë masën e paraburgimit për Azem Sylën.

Vendimi për deputetin e PDK-së, Azem Syla, i dyshuar për shpronësim tokash, do të merret sot (e shtunë). Ndërkaq ai natën e së premtes e ka kaluar në qendrën e ndalimit.

Azem Syla së bashku me 51 persona të tjerë dyshohen për veprat penale që kanë lidhje me krimin e organizuar, marrje ryshfeti, tjetërsim pronash. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjashtë persona për të cilët dje u është caktuar nga 30 ditë paraburgim. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka./zeri/