Vendimi i kryeministrit për Pallatin e Rinisë përfundon në Gjykatën Supreme

E publikuar: 31/01/2018 11:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i kryeministrit që Pallati i Rinisë të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës, ka përfunduar në Gjykatën Supreme. Kështu kanë bërë të ditur anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Kryesuesja e këtij Komisioni Sala Berisha – Shala ka vënë në dyshim bazën ligjore të këtij vendimi, duke thënë se komplet lënda për këtë ndërmarrje ka kaluar në Gjykatën Supreme.

“Kjo lëndë komplet është në Dhomën e Posaçme në Gjykatën Supreme”, ka thënë Shala-Berisha, duke shtuar se kryeministri ka marrë vendim për një ndërmarrje që tashmë ka qenë në procedura të likuidimit.

Në vitin 2016 Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) e ka futur në procedurë të likuidimit Pallatin e Rinisë, shkruan tutje Zëri.

Sala-Berisha ka thënë se Qeveria fillimisht është dashur që t’i drejtohet Kuvendit dhe tek atëherë kjo çështje të kthehet në vendim.

“Kjo i vështirëson gjërat. Neve na duhen dokumente shtesë nga Qeveria, që e mbështesin ketë vendim. Nuk duhet të ngutemi”, u është drejtuar Sala-Berisha deputetëve të këtij komisioni.

Kjo ka ngjallur reagimet e deputetëve të tjerë nga opozita.

Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj kanë kërkuar me ngulm që ky vendim të kalojë për procedim në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës./GazetaExpress