Vendimi i Kushtetueses, Kusari-Lila: Sonte u përmbys plani i mashtruesve dhe pazargjinjve

E publikuar: 22/12/2020 00:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Kuvendit të Kosovës radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, pas vlerësimit të kërkesës së Vetëvendosjes se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë antikushtetuese për shkak të votës së deputetit Ethem Arifi, i dënuar për vepër penale.

Kusari-Lila në një postim në Facebook ka shkruar se pranvera kësaj radhe po vjen më herët në Kosovë dhe se me vendimin e Kushtetueses ‘sonte u përmbys përfundimisht qëllimi dhe plani i mashtruesve dhe pazargjive’.

Postimi i plotë:

Sonte në natën më të gjatë të vitit, vjen drita e shpresës për fitoren e drejtësisë mbi të padrejtën, e punës mbi mashtrimin dhe kthimit të vullnetit të qytetarëve aty ku e ka vendin, në institucionet legjitime të shtetit.

Sonte u përmbys përfundimisht qëllimi dhe plani i mashtruesve dhe pazargjive.

Nuk ka rrugë të shkurtër për te suksesi dhe as bypass për te pushteti.

Kush e mendon ndryshe e gjen atë që e meriton, shkarkimin dhe dënimin nga qytetarët sot dhe gjykimin nga historia nesër.

Kosovë, pranvera po të vjen më herët kësaj radhe!