Vendimi i KQZ-së: Do të rinumërohen 303 vendvotime

E publikuar: 09/10/2019 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

KQZ ka aprovuar rekomandimin e QNR-së për rinumërim në 303 vendvotime.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të KQZ-së, shkruan lajmi.net.

Me këtë rast, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka treguar edhe arsyet e një vendimi të tillë.

“Formularët janë shtypur gabimisht, i kujt është faji do të zbulohet gjatë ditës së ardhshme, dhe do të dihet pse ka ardhë deri tek shtypja e gabueshme. Sekretariati është përgjegjës për shpërndarjen e formularit në të gjithë Kosovën. Subjektet të cilat kanë qenë të renditura në fletë votim dhe janë renditur edhe në formular, subjektit të parë i mungon rubrika, dhe për rrjedhojë disa komisionarëve që iu ka dhezë llampa i kanë shkru me saktësi, ndërsa disa të tjerëve që s’iu ka dhezë kanë vazhdu prej subjektit të dytë”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se këta formularë nuk mund të procedohen si të tillë.

“QNR i ka zbulu 303 vendvotime ku formularët janë plotësu në këtë mënyrë, dhe si përfundim është që këta formularë nuk mund të procedohen si të tillë, pasi që janë plotësu në mënyrë të gabueshme. E kemi rekomandimin e Burimit që të rinumërohen këto 303 vendvotime, sepse janë plotësuar në mënyrë të gabueshme. Nuk ka dyshime që janë plotësuar me qëllim, por që ka ndodhë sipas një gabimi teknik”, ka thënë Daka.

Rekomandimi është votuar me shumicë nga të gjithë anëtarët e subjekteve politike të KQZ-së.