Vendet myslimane denoncojnë vendimin amerikan për Jeruzalemin

E publikuar: 13/12/2017 23:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqës të vendeve me shumicë myslimane të mbledhur të mërkurën në Stamboll dënuan si të paligjshëm vendimin e Presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Takimi vjen ndërkohë që trazirat në Lindjen e Mesme vazhdojnë, bashkë me kritikat në rritje rreth vendimit për Jeruzalemin.

Mbledhja organizohet nën kujdesin e Organizatës 57-vendëshe të Konferencës Islamike, që aktualisht kryesohet nga Turqia. Takimi urgjent u thirr nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ftoi vendet të njohin Jeruzalemin e pushtuar, siç u shpreh ai, si “kryeqytetin e Palestinës”.

“Si president i radhës i Konferencës, do të mbajmë një takim në Stamboll dhe kemi ftuar udhëheqësit e vendeve anëtare. Shpresojmë të dërgojmë një mesazh të fuqishëm”, tha Presidenti Erdogan të hënën.

“Ftoj vendet që e vlerësojnë ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë që ta njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Palestinës”, i tha zoti Erdogan udhëheqësve në hapje të takimit të mërkurën.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, mbreti Abdullah i Dytë i Jordanisë, Presidenti i Azerbaixhanit Ilham Aliyev, Preisdenti i Bangladeshit Abdoul Hamid dhe Presidenti iranian Hassan Rouhani janë mes 22 krerëve të shteteve dhe qeverive që priten të marrin pjesë. Egjipti dhe Arabia Saudite, së bashku me 23 vende të tjera do të përfaqësohen në nivelin e Ministrit të Jashtëm.

Megjithëse vendimi i zotit Trump për zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem ka ngjallur gjerësisht kritika, ende nuk është e qartë nëse zemërmi për lëvizjen mund t’i kapërcejë ndasitë politike brenda botës islamike, në veçanti mes udhëheqësve arabë.

“Bota arabe nuk mund të ketë një qëndrim unanim pa konsensusin e Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Udhëheqësit e të dyja vendeve kanë nevojë për mbështetjen amerikane për të ruajtur pushtetin dhe për t’i bërë qëndresë Iranit, që këto vende mendojnë se po e rrit ndikimin me përparimin në Irak dhe Siri”, shkruante opinionisti i së përditshmes “Hurriyet”, Barcin Yinanc.

Gjendja ndërlikohet edhe më shumë nga tensionet ekzistuese mes organizatorit të takimit, Erdogan dhe faktorëve kyç.

“Arabia Saudite po e distancon veten gjithnjë e më shumë nga Turqia”, thotë Huseyin Bagci, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Teknik për Lindjen e Mesme, në Ankara.

Një sinjal i mundshëm i këtij distancimi është mungesa e Mbretit saudit dhe Princit të Kurorës, në takimin e Stambollit.

Zyrtarisht, Arabia Saudite e ka kritikuar ashpër vendimin e Presidentit Trump për Jeruzalemin, duke e quajtur “të pajustifikuar dhe të papërgjegjshme”.

Por media pro-qeveritare turke ka akuzuar Riadin se në heshtje e ka miratuar lëvizjen e Presidentit Trump dhe në Ankara ka dyshime në rritje se besnikëria e Riadit po ndryshon.

Ekspertët mendojnë se ka një lidhje gjithmonë e më të ngushte mes Arabisë Saudite, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusolgu, kritikoi të martën disa vende arabe që nuk po mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Uashingtonit, duke thënë se Doanld Trumpi “i frikëson ata”.

“Duket se disa vende arabe nuk e sfidojnë Trumpin”, tha kryediplomati turk.

Pavarësisht nga pengesat e shumta diplomatike, zoti Erdogan shpreson që takimi të dalë me një plan aksioni për të sfiduar Trumpin, nën titullin “Deklarata e Stambollit”.

Ai ka qenë në krye të kundërshtimit të vendeve myslimane dhe evropiane ndaj vendimit të udhëheqësit amerikan për Jeruzalemin. Gjatë vizitës së tij në Ankara të hënën, Presidenti rus Vladimir Putin mbështeti qëndrimin e Presidentit turk.

Takimi i së mërkurës e sjell presidentin turk në skenën botërore në një kohë kur ai përballet me një izolim në rritje nga disa prej disa aleatëve tradicionalë.. Por ndërsa vazhdojnë përleshjet e dhunshme për Jeruzalemin vazhdojnë, analistët mendojnë se ai do të përfitojë nga rasti nga shprehjet e indinjatës, për të theksuar nevojën për një qëndrim të fuqishëm dhe të bashkuar.