Veliu e Vitia takohen për koronavirusin, thonë se s’ka vend për panik

E publikuar: 27/02/2020 13:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, u takua me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadanin, me ç’rast diskutuan për menaxhimin e situatës lidhur me Koronavirusin.

Me këtë rast, ministri Vitia i bëri të ditur ministrit Veliu, angazhimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave për një situatë të re të mundshme epidemiologjike, që ka përfshirë disa vende të botës dhe që potencialisht edhe vendi ynë mund të preket.

Përmes një komunikate për media u bë e ditur se Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar IKSHPK-në që të mobilizojë të gjithë kapacitetet profesionale në menaxhimin e kësaj situate.

Vitia gjithashtu thekspi se për këtë është e nevojshme një gjithë përfshirje institucionale dhe ndihma e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për të menaxhuar çfarëdo situate që mund të ballafaqohemi në të ardhmen.

Veliu shprehu përkushtimin e tij dhe tha se se të gjitha kapacitetet institucionale që ka Ministria e Brendshme, do të vihen në dispozicion për të menaxhuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të paraqitet.

Ai tha se institucionet e sigurisë do të jenë të gatshme dhe në funksion të shtetit për çfarëdo nevoje që kërkohet, në mënyrë që situata të kontrollohet nga të gjitha mekanizmat e shtetit si tërësi.