Velija i LDK-së: Me Vetëvendosjen në koalicion fitorja do të ishte e sigurt

E publikuar: 01/06/2017 09:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet, Dardan Velija, shprehet i sigurt se LDK-ja bashkë me partnerët e koalicionit do t’i fitojnë zgjedhjet e 11 qershorit, ndonëse pranon se me një koalicion parazgjedhor dhe me Lëvizjen “Vetëvendosje” fitorja do të ishte e garantuar.
Gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Velija thotë se LDK-ja do të jetë shumë më aktive, siç thotë ai, më aktivja se të gjitha qeveritë që kanë qenë deri më tani, duke u bazuar në energjitë e reja që po i promovon ky subjekt politik.

Pse zgjodhët LDK-në për ta nisur karrierën politike dhe a kishit alternativa tjera politike?

Velija: Besoj që alternativë ka për çdo qytetar në çdo parti. Unë kam shkuar dhe kam trokitur në derën e LDK-së meqë kam besuar se në qoftë se tregoj sukses ndikimi im do ta ketë materializimin më të mirë ndërmjet LDK-së.

E kam parë që njerëzit e rinj që po vinë aty janë të gjithë njerëz me të cilët e ndaj botëkuptimin për Kosovën, të cilën duan ta ndërtojnë dhe njerëzit të cilët punojnë aty, ministrave të LDK-së që kanë qenë mandatin e kaluar nuk u është përmendur emri në asnjë aferë korruptive dhe besoj që bashkë me njerëzit që kanë hyrë edhe me njerëzit progresivë të cilët e përkrahin një Kosovë të përparuar që janë brenda LDK-së do të mund ta ndërtojmë një ekip i cili do ta zhvillojë vendin.