Vdes Helmut Kohl, Kancelari që bashkoi Gjermaninë

E publikuar: 16/06/2017 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Ish kancelari i Gjermanisë, Helmut Kohl, ka ndërruar jetë këtë të premte në moshën 87 vjeçare.
Kohli e drejtoi Gjermaninë për 16 vjet. Ai mbahet mend për ribashkimin e Gjermanisë si dhe kontributin e tij të madh politik e ekonomik për integrimin e Evropës.

Partia e Helmut Kohlit, Bashkimi Kristjandemokrat, CDU, konfirmoi të premten të dhënat e medieve se ish-Kancelari ndërroi jetë.

“Jemi në zi. U prehsh i qetë, Helmut Kohl”, thuhet në mesazhin e shkurtër.

Helmut Kohli i dha emrin e tij një brezi të tërë – “brezit Kohl”. Helmut Josef Michael Kohl lindi në Ludwigshafen në 3 prill 1930. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u bë anëtar i Bashkimit Kristjandemokrat (CDU). Gjatë kohës së studimeve të tij për histori, shkenca juridike dhe politikë ai vazhdoi aktivitetin në radhët e partisë.

Në vitin 1969, Helmut Kohli u zgjodh kryeministër i landit të Rheinland-Pfalzit. Në moshën 39 vjeçare ai qe kryeministri më i ri që e pati marrë ndonjëherë këtë post.

Por do të zgjaste deri në 1 tetor 1982, derisa Helmut Kohli të arrinte synimin e tij: postin e Kancelarit të Gjermanisë.

Me një mocion votëbesimi kundër Kancelarit socialdemokrat Helmut Schmidt, Kohli erdhi në pushtet. Më parë ai pati bindur kryetarin e partisë liberale, FDP, Hans-Dietrich Genscher, që t’i braktiste socialdemokratët dhe të kalonte në koalicion me CDU.

Kohli e arriti zenitin e karrierës së tij politike në vitin 1989 dhe 1990.

Politikat e Glaznostit dhe të Perestrojkës të Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik rezultuan me përfitim për të. Menjëherë pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në vitin 1989 Kohli mori iniciativën dhe hartoi një plan me dhjetë pika me synim ribashkimin e dy shteteve gjermane sa më shpejt që të ishte e mundur.

Kontribut të vecantë Helmut Kohl ka në avancimin e projektit evropian. Pas këmbënguljes kryesisht të Francës, për të avancuar bashkimin politik të Evropës, si kusht që Presidenti francez François Mitterrand të jepte dakordimin për bashkimin e Gjermanisë, Kohl dha aprovimin për avancimin e institutucioneve evropiane dhe ecjen drejt Marrëveshjes së Mastrihtit. Gjermania ra dakord të braktisë simbolin e saj ekonomik, monedhën më të fortë evropiane, monedhën gjermane, Dojçmark dhe zëvendësimin e saj me Euron.

I ndërgjegjshëm për rëndësinë e bashkimit politik të Evropës, Kohl do të shkruante në atë kohë se avancimi i arritur i ndërvarësive ekonomike dhe politike të Evropës, e bënte edhe praktikisht të pamundur kthimin pas, në epokën e luftërave në Evropë.

Në tetor 1998, një koalicion i Partisë Socialdemokrate dhe të Gjelbërve fitoi zgjedhjet parlamentare dhe pas 16 vjetësh – një rekord për Gjermaninë – Helmut Kohli u largua nga pushteti si Kancelar. /dw/