“Vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të Pajazit Nushit”

E publikuar: 03/09/2015 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vdekja e akademik Pajazit Nushi u cilësua si një humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe miqtë e tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare.

Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative për nder të akademik Nushit e cila u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku përveç familjarëve, miqve dhe kolegëve, morën pjesë edhe personalitetet e larta të vendit presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe shumë personalitete tjera.

Me këtë rast, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Hivzi Islami, tha se vdekja e Pajazit Nushit është humbja e tretë me radhë dhe e rëndë për Akademinë brenda 20 ditëve, pas vdekjeve të akademikëve Esat Stavileci dhe Mark Krasniqi.

Islami tha se nga Nushi po ndahen vetëm fizikisht, pasi që vdekja nuk mund t’i mposhtë veprat që ai la pas.

“Ne sot po ndahemi nga akademik Pajazit Nushi vetëm fizikisht, sepse trashëgimia që la pas e bëjnë emrin e këtij shkencëtari, profesori, edukatori, intelektuali dhe humanisti të mbetet gjallë për breza të tërë. Vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla, ata mbesin gjallë përmes veprave të tyre”, ka thënë Islami.

Pas kësaj mbledhje komemorative, të gjithë të pranishmit dhe qytetarë të ndryshëm patën mundësi që deri në orën 12 të bëjnë homazhe pranë arkivolit të tij, ku më pas do të niset për në ceremoninë e varrimit në Gjakovë.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, Simon Kuzhnini, të cilit i ka rënë të bashkëveprojë me Nushin, pasi që ai ka qenë njëri nga anëtarët e kryesisë së kësaj lidhje dhe njëri nga themeluesit e saj, tha se populli shqiptar sot është më i varfër se kurrë me humbjen e akademik Pajazit Nushi. Por, sipas tij, vepra, shkrimet dhe dituria e tij do t’i përcjellin edhe sot, si dhe brezat që do të vijnë.

“Sot populli shqiptar ë nga Kosova dhe mbarë kombi ndahet fizikisht prej burrit më të madh, për punëtorin më të madh, prej programeve më të mëdha të interesave të kombit tonë dhe në të gjitha rrugët që i ka pasur drejtim kombi jonë, ka qenë prezent Pajazit Nushi. Ai në organizmin dhe lidhjen shqiptare në botë ishte nënshkrues i programit me të gjithë akademikët e tjerë, si Esat Stavileci e Mark Krasniqi. Por, për Pajazit Nushin të flasësh asnjëherë me ditë, me muaj e me vite nuk mundet mi ra të gjithë ato të mira që i ka dhënë për popullin e Kosovës”, tha Kuzhnini.

Edhe presidentja Atifete Jahjaga, “ka bërë homazhe në nderim të akademik Pajazit Nushit, duke e çmuar lartë kontributin e tij jo vetëm në arsim e shkencë si profesor shumëvjeçar universitar dhe njeri ndër studiuesit e parë të psikologjisë dhe shkencave tjera sociale në Kosovë por edhe në zbardhjen e fatit të të pagjeturve si humanist i shquar dhe aktivist për të drejtat e njeriut”.

Presidentja Jahjaga me këtë rast u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të Akademik Pajazit Nushit për këtë humbje të madhe për gjithë Kosovën.

Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në mbledhjen komemorative të mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Pajazit Nushit, një ndër figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë.
“Më pas, kryeministri Isa Mustafa, bëri homazhe në nderim të figurës së shquar të akademik Pajazit Nushit, si dhe ngushëlloi familjarët dhe kolegët e pranishëm për këtë humbje shumë të madhe për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vdekjen e Nushit e cilësoi si një humbje shumë të madhe për popullin sidomos për fushën e psikologjisë.

“Akademik Pajazit Nushi njihet për veprën e tij në fushën e psikologjisë, edhe në aspektin e trevave shqiptare si një ndër njohësit më të mirë të fushës së psikologjisë. Gjithashtu, për kontributin e tij që ka dhënë vazhdimisht për funksionimin e mirë të shtetit në të gjitha periudhat, si dhe për ngritjen e kombit shqiptar në përgjithësi. Për këtë është një humbje e madhe, megjithatë akademik Pajzit Nushi ka lënë veprën e tij pas, dhe një familje të mrekullueshme, pasi që mua më ka rënë të punojë me birin e tij në komunë dhe të gjithë ata duhet të mburren me një prind si ai që e kanë pas”, tha Ahmeti.

Arkivoli me trupin e pajetë të akademik Pajazit Nushit është nisur për në Gjakovë në orën 12, ndërsa varrimi bëhet në orën 17:00.