Vdekja e Pajazit Nushit, humbje e madhe për shoqërinë (Foto)

E publikuar: 03/09/2015 11:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Humbja e akademikut Pajazit Nushi, është një humbje e madhe për familjen, kolegët, miqtë e tij, për akademinë, shkencën dhe për shoqërinë.

Kështu ka deklaruar kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës (ASHAK), Hivzi Islami, në mbledhjen komemorative për nder të akademik, Pajazit Nushi.

“Vdiq psikologu dhe doktori i parë i shkencave psikologjike në Kosovë, profesori, edukatori, intelektuali, drejtuesi i suksesshëm i veprimtarive shoqërore dhe i shumë institucioneve arsimore, shkollore dhe pedagogjike të Kosovës, humanisti dhe personaliteti i shquar në lagjen e figurave të spikatura në fushën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj për më se gjysmë shekulli, ku la gjurmë të thella”, ka thënë ai.

Islami ka theksuar se akademik Pajazit Nushin vdekja e gjeti në funksionin e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për themelimin e së cilës sipas tij, Nushi kishte një rol të veçantë në gjysmën e viteve të 70-ta të shekullit të kaluar.

“Me vdekjen e tij qarqeve shkencore dhe akademike iu këput një krah i fortë. Sentenca e lashtë se njeriu vlen aq sa e pranojnë të tjerët gjen shprehje pikërisht te profesor Pajazit Nushi”, ka shtuar Islami.

Në anën tjetër, sekretari i ASHAK-ut, Jusuf Bajraktari tha “Kur njeriu lexon biografinë e akademik Pajazit Nushit, habitet se ku ky intelektual i formatit të veçantë e gjente gjithë atë energji krijuese për ta vu në shërbim të zhvillimit e të emancipimit të popullit të tij. Mirëpo, ata që e njohin personalitetin e tij dhe që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë me të në punë e projekte të ndryshme i vlerësojnë lart kapacitetet e tij krijuese. Ai është ndër ato figura të rralla të jetës sonë kulturore ku janë shkrirë në një mënyrë të natyrshme aftësitë intelektuale, madhështia njerëzore, urtia e natyrshme, mirësjellja bujare, pedantëria dhe korrektësia e pashoqe”.

akademiku1akademiku nushiakademikuakademiku3akademiku2akademiku4