Vazhdojnë sulmet dhe përleshjet në Rripin e Gazës

E publikuar: 14/07/2018 20:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Lindjen e Mesme kanë vazhduar dje dhe sot përleshjet mes izraelitëve dhe paletinezëve. Ushtria izraelite tha se kishte kryer sot disa sulme në Rripin e Gazës, si përgjigje ndaj përleshjeve me palestinezët në kufi. Sipas ushtrisë izraelite, forcat ajrore goditën mbi 40 objektiva të Hamasit, organizatës islamike që qeveris Gazën, ndërsa militantët e Hamasit u kundërpërgjigjën me mbi 50 raketa.

Protestuesit palestinezë patën hedhur të premten balona që shpërthyen në shkëndija në kufirin me Izraelin.

Gjatë përleshjeve në kufi një 15-vjeçare palestineze humbi jetën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, një tjetër 20-vjeçar humbi jetën në spital dhe 25 persona të tjerë u plagosën. Që nga protestat e 30 marsit, numri i viktimave mes palestinezëve ka arritur në 137.

Palestinezët thonë se shkak i protestave të tyre është një plan izraelit për shkatërrimin e një fshati beduinësh në Bregun Perëndimor. Izraeli thotë se demonstratat e palestinezëve u ofrojnë anëtarëve të krahut të armatosur të Hamasit mundësinë për të goditur forcat e sigurisë së Izraelit.