Vazhdojnë ‘maratonat’ e gjykimeve ndaj ish- drejtorit të arsimit në Prizren Nexhat Çoçaj

E publikuar: 29/10/2018 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre të akuzuarit për keqpërdorim në manifestimin kushtuar një dëshmori të UÇK-së në Prizren dhanë mbrojtjen e tyre sot para gjykatës.
Të akuzuarit Nexhat Çoçaj, Bekim Thaçi, dhe Bedri Çejku ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren në vitin 2016 por Gjykata e Apelit më vonë e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Çoçaj ishte dënuar me 3 vjet burg me vendim të gjykatës për këtë çështje, ndërsa Thaçi me 14 muaj, e Çejku me 6 muaj burg, por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin e se kemi të bëjmë me dy ekspertiza të ndryshme dhe në kundërthënie me njëra tjetrën.

Gjykata Themelore Prizren kishte urdhëruar Universitetin e Prshtinës për një superekspertizë sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, por Universiteti i Prishtinës për më shumë se 7 muaj nuk kishte kthyer përgjigje Gjykatës së Prizrenit.

Pas një periudhe më shume se 7 muaj Universiteti i Prizrenit kishte njoftuar me një shkresë diku me 6-7 rreshta se ata nuk mund ta kryejnë ekspertizën.

Për këto arsye kryetarja e trupit Gjykues Ajser Skenderi, kishte urdhëruar tre ekspertë tjerë për një superekspertizë, raporton kallxo.com.

Gjatë deklarimit në seancën e sotme, i akuzuari Nexhat Çoçaj, në shumicën e pyetjeve të Prokurorit Mehdi Sefa, nuk dha përgjigje ndërsa mbrojtësi i tij, avokati Bashkim Nevzati gjatë gjithë kohës shfaqi kundërshtimet e tij ndaj pyetjeve të prokurorit me arsyetimin se të njëjtat pyetje po përsëriten dhe i akuzuari Nehat Çoçaj për të njëjtat është deklaruar edhe më parë.

Njëjtë vepruan edhe të akuzuarit Bekim Thaçi dhe Bedri Çejku, dhe mbrojtësit e tyre Hylki Kurtaj dhe Osman Zajmi të cilët shfaqën kundërshtime ndaj pyetje të prokurorit të çështjes. Ndërsa të akuzuarit Bekim Thaçi e Bedri Çejku nuk dëshiruan të përgjigjeshin në pyetjet e prokurorit, me pretekst se të njëjtit ishin deklaruar në shqyrtimet e mëparshme për këto pyetje.

Trupi gjykues të përbërë nga Kryetarja Ajser Skenderi, dhe anëtarët Xheladin Osmani e Kymete Kicaj caktuan 2 nëntorin si afat për dhënien e fjalës përfundimtare.

Drejtori i Arsimit komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren se keqpërdori për 5 vjet rresht manifestimin “Remzi Ademaj”, të mbështetur nga komuna e Prizrenit.

Ai dyshohet se gjatë pesë viteve të manifestimit të javës “Remzi Ademaj” keqpërdori 61 mijë e 303 euro.