Vazhdojnë luftimet në Irak

E publikuar: 16/10/2017 18:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcat irakiane morën kontrollin e një baze të rëndësishme ajrore në veri të qytetit Kirkuk, krahas me disa pozicione në jug të qytetit, pas një thirrjeje të kryeministrit Haider al-Abadi për rimarrjen nën kontroll të rajonit, që aktualisht mbahet nga forcat kurde.

Ushtria irakiane tha të hënën se po vazhdonte përparimin, pas disa sukseseve të mëparshme, si marrja e kontrollit të bazës ajrore K1.

Televizioni shtetëror njoftoi se trupat qeveritare kishin marrë kontrollin e “një rajoni të gjerë” në provincën Kirkuk gjatë natës. Zyrtarët kurdë e kundërshtuan këtë njoftim; por thanë se forcat irakiane të sigurisë me mbështetjen e forcave milicore, ishin përfshirë në një “operacion madhor, afatgjatë”, me synim hyrjen në qytetin e Kirkukut dhe marrjen e kontrollit të bazës ajrore dhe të fushave me naftë.

“Nuk e di se çfarë po ndodh me saktësi, sepse jemi duke luftuar që në orën katër të mëngjesit, në zonën e Taza-s. Kemi patur humbje në njerëz, por tani jemi tërhequr në pozicionin që ndodhemi. Disa nga forcat e tjera kurde janë tërhequr nga luftimet, ata nuk kanë qëlluar qoftë edhe një herë të vetme me armë. Diçka është e qartë: ne, jemi duke i ruajtur pozicionet tona këtu.” – thotë gjeneral majori Ayoub Yusuf Said.

Kurdët e morrën nën kontroll qytetin Kirkuk, që nga koha kur dëbuan prej andej luftëtarët e Shtetit Islamik, të cilët hynë në Irak në vitin 2014. Ata kanë mosmarrëveshje prej një kohe të gjatë me qeverinë qendrore lidhur me çështjen se kush duhet t’i kontrollojë zonat në provincat përreth, përfshirë fushat naftëmbajtëse.

Tensionet u shtuan më tej tre javë më parë, kur qeveria gjysëmautonome kurde zhvilloi referendumin e pavarësisë, që u miratua nga shumica e votuesve.

Qeveria e kryeministrit Abadi e hodhi poshtë referendumin si të paligjshëm, ashtu sikurse edhe Turqia dhe Irani, që kanë gjithashtu popullsi të madhe kurde.

Shtetet e Bashkuara e cilësuan referendumin të paligjshëm, duke thënë se mbështesin idenë e një “Iraku të bashkuar”.

Gjatë luftës së koalicionit kundër Shtetit Islamik, Shtetet e Bashkuara u kanë ofruar pajisje ushtarake dhe stërvitje si forcave të armatosura irakiane, edhe atyre Pershmerga.

Një zëdhënës i koalicionit nën ushëheqjen e Shteteve të Bashkuara, Koloneli Ryan Dillon, tha se janë duke e ndjekur me kujdes situatën në Kirkuk dhe i bëri thirrje “të gjitha palëve të shmangin veprimet që nxisin tensione”, duke e mbajtuar fokusin tek mundja e Shtetit Islamik.