Vazhdojnë bisedimet për takimin e mundshëm Trump-Kim

E publikuar: 28/05/2018 19:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarë të Uashingtonit dhe Koresë së Veriut u takuan përsëri të hënën në zonën e çmilitarizuar për të folur rreth një takimi të mundshëm mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jung Un.

Pasi i anuloi bisedimet të enjten, zoti Trump tha se takimi i 12 qershorit në Singapor mund të zhvillohet siç është planifikuar.

Besoj vërtet se Koreja e Veriut ka një potencial të shkëlqyer dhe do të jetë një ditë një vend i madh nga pikëpamja ekonomike e financiare”, shkruante në një postim në Twitter të dielën zoti Trump. “Kim Jong Un-i pajtohet me mua për sa i takon kësaj… do të ndodhë“, shkruante presidenti.

Delegacioni amerikan udhëhiqet në bisedimet përgatitore nga ambasadori amerikan në Filipine Sung Kim i cili ka qenë dhe ish i dërguari i SHBA-së në Korenë e Jugut. Sipas njoftimeve takimet pritet të zgjasin deri të martën.

Ne mund të jemi të suksesshëm në çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean, që do të ishte një gjë e madhe për Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, do të ishte diçka e mrekullueshme për Japoninë dhe mbarë botën, për Shtetet e Bashkuara si dhe Kinën. Shumë vetë po punojnë lidhur me këtë çështje dhe po ecën përpara shumë mirë“, tha zoti Trump.

Pas një takimi të papritur mes udhëheqësit të Phenianit Kim dhe Presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, ky i fundit tha se Kim Jong Un-i është ende i angazhuar për “çarmatim e plotë bërthamor” të gadishullit Korean. Po presidenti Moon nuk pranoi t’i japë një përcaktim kësaj fraze, duke lënë të kuptohet se mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut do të zhvillohen negociata të vështira.

SHBA ka bërë thirrje për çarmatim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të arsenalit bërthamor të Phenianit, por Koreja e Veriut ka kundërshtuar çarmatimin e njëanshëm dhe ka bërë thirrje për çarmatim bërthamor të gadishullit Korean.

Disa zyrtarë amerikanë mbeten skeptikë se bisedimet mes SHBA-së dhe Phenianint do të çojnë tek dhënia fund e programit bërthamor Koresë së Veriut.

Senatori Marco Rubio, anëtar i komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, në një intervistë për rrjetin televiziv CBS tha se Koreja e Veriut po “luan një lojë”. Sipas tij Kim Jong Un-i është i lidhur psikologjikisht me armët bërthamore. Ato i japin atij prestigj dhe rëndësi….Do të doja të shihja Phenianin e çarmatosur nga armët bërthamore. Por nuk jam shumë optimist për këtë“, tha ai.

Po për CBS-in James Clapper, ish-drejtori i Agjencisë së Zbulimit Kombëtar amerikan, tha shqetësues mund të jetë fakti që Veriu në këmbim të çarmatimit bërthamor, mund të kërkojë heqjen apo uljen e numrit të kontingjentit amerikan prej 28,500 trupash në Korenë e Jugut edhe pse zyrtarët amerikanë e kanë përjashtuar mundësinë e tërheqjes së trupave.

Nuk është saktësisht e qartë se çfarë e bëri zoti Trump të ndryshojë mendje për të takuar udhëheqësin e Phenianit vetëm një ditë pasi ai e anuloi takimin me të.